“Ushtar Bajromi” Firmos Dekretin Qesharak Për “Ministren Diella”

0

Presidenti Bajram Begaj ka firmosur një dekret të pazakontë që emëron ministre një algoritëm virtual të quajtur “Diella”, shpallur nga kryeministri Edi Rama si “ministrja e inteligjencës artificiale” që do të zhdukë korrupsionin me tenderat. Ky është akti i parë i këtij lloji në historinë e shtetit shqiptar, i cilësuar nga opozita si një shkelje flagrante e Kushtetutës.

Në tekstin e dekretit thuhet se kryeministri merr përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e “Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale”, duke i lënë kompetencat vetë Ramës. Ky vendim ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, por njëkohësisht ka ngjallur kritika për rrezikun që tenderat të mbeten jashtë hetimit.

Reagimet E Opozitës

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër duke theksuar se emërimi i një ministri kërkon kushte të qarta: të jetë shtetas shqiptar, mbi 18 vjeç dhe i aftë mendërisht.
Cilat nga këto cilësi ka ‘ministrja’ Diella?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtari Bajram po tenton ta kthejë Republikën në një palaçollëk,” – u shpreh Bardhi.

Edhe Sali Berisha e akuzoi Ramën se me këtë manovër synon t’i heqë nga duart Belinda Ballukut menaxhimin e tenderave. “Diella mori tenderat në dorë! Fitore! Të gjitha paratë Ramaduros! Lubia mbetet me lugë bosh,” ironizoi Berisha, duke shpërndarë edhe një meme që po qarkullon në rrjete sociale.

Një Vendim Me Pasoja Politike

Kjo lëvizje shihet si një përpjekje e Ramës për të krijuar një imazh modernizimi dhe dixhitalizimi, por kritikët paralajmërojnë se pas “Diellës” fshihet centralizimi i tenderave dhe një skemë e re për të shmangur transparencën.
Dekreti i Begajt, i quajtur nga opozita si “qesharak”, hap një precedent të diskutueshëm mbi kufijtë e Kushtetutës dhe mënyrën si mund të përdoret inteligjenca artificiale në qeverisje.

Në vend që të shuajë dyshimet për korrupsion, “ministrja Diella” duket se ka ndezur edhe më shumë polemikat mbi abuzimet me tenderat dhe kapjen e shtetit nga ekzekutivi.

Artikulli i mëparshëmVrasja E Charlie Kirk, Identifikohet Dhe Arrestohet Autori I Dyshuar Në Utah
Artikulli i radhësBetohen Deputetët E Rinj, Tom Doshi Dhe Sabina Jorgo Tërhiqen Nga Mandati