
Artistja muzikore nga Vietnami, Duc Phuc, ka triumfuar mbrëmjen e së shtunës në festivalin ndërkombëtar të këngës Intervision, i njohur ndryshe si “Eurovisioni i Lindjes”, i mbajtur në Moskë. Ngjarja u zhvillua në Live Arena, ku morën pjesë përfaqësues nga 22 shtete të Europës, Azisë, Amerikës Latine dhe Afrikës, duke shënuar rikthimin e një prej konkurseve më të njohura të periudhës sovjetike.
Kënga fituese dhe mesazhi i saj
Duc Phuc fitoi me këngën “Phu Dong Thien Vuong”, një kompozim që ndërthur elementë rap-i dhe folklori, frymëzuar nga legjenda e heroit mitik vietnamez Thanh Giong, i cili sipas historisë mundi pushtuesit duke hipur mbi një kalë prej hekuri.
- Vietnamezi grumbulloi 422 pikë, duke lënë pas Nomad Trio nga Kirgistani me 373 pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Dana Al Meer nga Katari me 369 pikë.
Mesazhi i Duc Phuc pas fitores
Fituesi 28-vjeçar, i lindur në Hanoi, i njohur më parë si fitues i The Voice Vietnam (2015), deklaroi pas triumfit se një pjesë të çmimit prej 30 milionë rubla (rreth 358 mijë dollarë) do ta përdorë për bamirësi në Rusi. Ai shtoi se dëshiron të mësojë më mirë gjuhën ruse për të bashkëpunuar në të ardhmen me muzikantë lokalë.
Shfaqja e Rusisë dhe reagimi i publikut
Artist i njohur rus Shaman (Yaroslav Dronov), edhe pse konkurrent, kërkoi që juria të mos i jepte vota, duke theksuar se “Rusia kishte fituar vetëm nga fakti që organizoi këtë festival”.
Presidenti rus Vladimir Putin, në një mesazh për pjesëmarrësit, nënvizoi:
“Kultura dhe muzika nuk kanë kufij, dhe ky event tregon fuqinë unifikuese të artit.”
Rikthimi i një konkursi historik
Intervision, i quajtur ndryshe Eurovisioni i Lindjes, u mbajt për herë të parë në vitet 1965–1968 dhe më pas nga 1977 deri në 1980. Pas përjashtimit të Rusisë nga Eurovision për shkak të konfliktit në Ukrainë, Moska vendosi të ringjallë festivalin, duke i dhënë një dimension të ri skenës muzikore ndërkombëtare.
Organizatorët njoftuan se edicionin e ardhshëm të vitit 2026 do ta presë Arabia Saudite, duke e kthyer këtë kompeticion në një platformë globale të përhapjes së kulturave.