
Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, ka dhënë një sqarim publik mbi arsyen pse shteti palestinez nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se Palestina nuk ka asnjë problem me popullin e Kosovës, por vendimi lidhet drejtpërdrejt me pozicionimin ndërkombëtar të saj.
Shkaku kryesor: Ambasada e Kosovës në Jerusalem
Sipas ambasadorit Mhanna, arsyeja pse Palestina nuk njeh Kosovën është fakti që Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem. Ai e konsideroi këtë veprim si një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.
“Që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem, ne e konsiderojmë atë një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën,” – deklaroi ai.
Qëndrimi ndaj Shqipërisë
Diplomati palestinez foli edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, duke u shprehur i zhgënjyer për qëndrimin e saj në forumet ndërkombëtare, ku shpesh ka abstenuar në votime lidhur me çështjen palestineze.
“Kam folur me presidentin Bajram Begaj, i cili na mbështet. Do të doja që qeveria shqiptare të na mbështeste më shumë. Nuk e kuptoj pse Shqipëria abstenon në forumet ndërkombëtare dhe pse na e ka kthyer shpinën, kur lufta nuk është mes Izraelit dhe Hamasit, por mes Izraelit dhe popullit tonë,” – u shpreh ambasadori.
Mesazhi për shqiptarët
Ambasadori i Palestinës vlerësoi përkrahjen që shumë shqiptarë i kanë dhënë kauzës palestineze, por kërkoi më shumë solidaritet dhe mbështetje publike. Ai shtoi se nuk beson që Kryeministri Edi Rama është pro gjenocidit, duke e konsideruar këtë si një pozicion të mençur.