
Nga Andi Bushati
Normalisht, për rekrutimin nga Rama të një zyrtareje të nivelit të dytë të partisë së Ilir Metës, nuk do ia vlenin as disa reshta. Kjo e vjedhjes së figurave brenda dy vëllëzërve armiq të së majtës, është një betejë që zgjat prej vitesh. Në fund, si shumëçka, atë e ka fituar ai që është në pushtet, që ka rëmbyer njëri pas tjetrit, ish ministra si Lefter Koka, Nasip Naço, Vangjel Tavo e deri tek deputetë apo dhe personazhe periferikë si Brahimllari.
Në këtë kuptim, as emërimi i Silva Cakës, si zv/ministre e brendshme, që do të zëvendësojë dikë që u penalizua se pinte cigare në zyrë, nuk do duhej të kishte lënë ndonjë shenjë.
Të gjithë ata që Rama vodhi nga tava e Metës
Por ky akt, sa do i papërfillshëm që të duket në pamje të parë, ngre gjithsesi disa pikëpyetje. Duke ditur që në politikë asgjë nuk është e rastësishme, në mënyrë të natyrshme shtrohet dilema: Ç’i duhej Ramës, znj. Caka? Nëse grabitjet e mëparshme, të njerëzve me peshë politike, që prodhonin vota mund të shpjegohen, po kjo e tanishmja, përse?
Dikur, ish LSI, me mbi 200 mijë vota ishte një parti e rëndësishme që ia vlente të luftohej. Ajo ruajti për një kohë të gjatë aureolën e king maker që vendoste se nga do të anonte pushteti. Meta e më vonë Kryemadhi, drejtonin një grupim të rëndësishëm në parlament, që numëronte rreth 20 deputetë. Në këto kushte, sado e pamoralshme që të dukej, të bleje dikë nga ish LSI-a, ishte me përfitime elektorale.
Silva Caka, ish deputete e LSI emërohet zv/ministre e Brendshme
Ndërsa sot, me ish presidentin në burg, me një aradhë figurash të larguara, ajo është një parti në zgrip, midis zhdukjes dhe mbijetesës. Ajo as nuk ka peshë, as nuk i shkakton dot ndonjë të papritur atyre që janë në pushtet. Atëherë përse?
Kjo pikëpyetje bëhet edhe më e fortë po të lundrosh në Google për të parë qëndrimet e Silva Cakës kundër Edi Ramës. Aty sheh portretin e një sociopati të korruptuar me të cilin mund të bashkëpunojnë vetëm të ngjashmit që gjejnë njëri-tjetrin si tenxherja kapakun. Aty vizatohet një autokrat, që përdor SPAK-un për të luftuar kundërshtarët, që josh ndërkombëtarët që i trajtojnë shqiptarët si pederastë pa gjini (po, po, fjalët e saj vetëm pak kohë më parë) e që i përdor të gjitha këto për të bërë kërdinë mbi zgjedhjet.
Atëherë ç’kërkon një njeri i tillë në atë që e konsiderojnë me mburrje si skuadra e rilindjes? Ç’kontribute ka, çfarë leverdie transferon në PS znj. Caka? A nuk e bën edhe më pis qeverinë e shkuara e saj verbale? Pse duhej kjo blerje kur efekti elektoral është zero?
Loja me fabulën e arushës Silva
Për të shpjeguar këtë fenomen, në pamje të parë paradoksal, vlen të sillet në kujtesë një fabul që e njeh mirë brezi i moshatarëve të Edi Ramës dhe të cilën ai e përmend, herë pas here, në fjalimet e veta. Është ajo e personazhit të famshëm të Tiranës të viteve të komunizmit, zbutësit të kafshëve në çadrën e cirkut, Tahir Baçova. Dikur atij i zbritën nga provinca, një arushë të quajtur Silva (çdo përkim në emër dhe pamje me personazhin e sotëm është rastësor), të cilën ai e mëkonte me karamele, sa herë që donte që ajo të jepte spektakël për publikun. Sa herë i hidhnin diçka për të ngrënë, Silva fillonte të kërcente e përdridhej, aq sa ajo u bë tejet e famshme për bashkëkohësit.
Pikërisht stafetën e romit të mirë Baçova, po e merr sot Rama i mandatit të katërt. Ai flak kocka mbi buzët e lëngëzuara të çdo lloj opozitari, madje edhe për ata që nuk i duhen fare, vetëm që në sytë e qytetarëve ata të kërcejnë vallen e përdhosjes dhe shkatërrimit të opozitës. Ai e do këtë cirk. Prandaj dikë e cakton drejtor në hipotekë, një e rimer deputete në Vlorë, të tjerëve u jep punë dhe poste nëpër bashki, për të përçuar mesazhin se këta që kam përballë, janë njësoj të shitshëm apo të bleshëm si të ngjashmit që gjenden në anën time.
Rama largpamës
E pikërisht këtu rikthehemi tek rasti i Silvës njeri. Në kushte normale largimi i saj nga opozita drejt pushtetit nuk duhet të kishte pikë rëndësie, krahasuar me dezertimet e të mëdhenjve që kanë ndodhur më parë. Por pikërisht se është i pavlerë dhe i papeshë, ai bëhet i rrezikshëm. Pasi kur rëmbente Kokën, Naçon, Tavon apo Çelën, Rama, në rastin më të keq, ishte një aktor i pamoralshëm në luftën brenda llojit. Ndërsa kur vijon e vjedh edhe njerëz pa fuqi elektorale, thjesht figura që s’i duhen, ai nuk e ka më me ish-LSI-në, por e ka me demokracinë. Ai i’a ka nisur një mësymje për delegjitimimin dhe shkatërrimin përfundimtar të opozitës, të cilën, pasi është siguruar se e mund në çdo garë, nuk e toleron më as si humbëse.
Tani ai e do të tallur ose më mirë akoma, inekzistente. Prandaj ia hodhi dhe karamelen e radhës, Silvës së sotme./ lapsi.al