
Adrien Rabiot dha një intervistë për DAZN pas fitores së Milanit 2–1 ndaj Napolit, ku foli për përshtatjen e tij të shpejtë, rolin në skuadër dhe emocionet për rikthimin kundër Juventusit.
Përshtatja e shpejtë te Milani
Mesfushori francez pranoi se ambientimi i tij ka qenë i menjëhershëm falë njohjes me stafin dhe shumë prej shokëve të skuadrës:
“E njihja mirë trajnerin dhe stafin, po ashtu edhe disa lojtarë. Erdha me përulësi, duke punuar çdo ditë për të dhënë shembull dhe për të udhëhequr skuadrën. Që prej ardhjes sime kemi fituar katër ndeshje dhe kemi pësuar vetëm një gol. Kjo tregon frymën pozitive që kemi.”
Loja në mbrojtje dhe bashkëpunimi me Modric
Rabiot theksoi rëndësinë e përkushtimit kur ekipi është në vështirësi:
“Kur je me një lojtar më pak, duhet të japësh më shumë. Ky është mentaliteti ynë. Me Modric është gjithçka e thjeshtë, edhe pse në moshën 40-vjeçare ai vrapon pa pushim dhe kontrollon lojën. Është kënaqësi të luash me të, sepse gëzon futbollin, di të mbrojë dhe të sulmojë. Ekipi ynë ka shumë cilësi, edhe lojtarët e rinj treguan shpirt të madh sonte.”
Përballja e radhës: Juventus
I pyetur për ndeshjen e ardhshme, Rabiot nuk fshehu emocionet për rikthimin në Torino:
“Jam shumë i lumtur që kthehem në Stadium. Jemi në krye të tabelës dhe do të jetë një sfidë e madhe. Kam kaluar pesë vite të bukura te Juventusi, por tani jam pjesë e Milanit dhe dua të fitoj me këtë fanellë. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua.”