Prona luksoze, vila dhe makina: Kush është noterja Sanja Telhallari që i sekuestruan pasuri me vlerë 3 milionë euro

0

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vënë nën sekuestro një sërë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të noteres Sanja Telhallari dhe familjarëve të saj.

Hetimet treguan se gjatë periudhës 2013–2024, 35-vjeçarja Sanja Telhallari ka kryer një numër të madh transaksionesh për blerje pasurish, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi, një vilë në një kompleks të njohur, si dhe makina luksoze. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, disa llogari bankare dhe investime të tjera me vlerë që tejkalojnë 3 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, ka një mospërputhje të dukshme mes të ardhurave të deklaruara të noteres Sanja Telhallari dhe shpenzimeve të saj. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për këto blerje kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe i dënuar për vepra të rënda penale, mes tyre shfrytëzimi i prostitucionit, me një dënim deri në 21 vjet burg.

Sekuestrimi është vendosur si masë preventive për të garantuar ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe për të parandaluar transferimin apo fshehjen e tyre. Prokurori i çështjes, Ndini Tavani, po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të origjinës së fondeve dhe pasurive të dyshuara.

Kjo ngjarje ka ngjallur vëmendje të madhe publike, pasi rasti i Sanja Telhallarit, një notere relativisht e re në moshë, shihet si shembull i qartë i pasurimit të dyshimtë dhe lidhjeve të mundshme me krimin e organizuar.


Artikulli i mëparshëmDosja “Partizani”/ Berisha përfaqësohet nga avokatët në seancën e GJKKO
Artikulli i radhësNoterja Sanja Telhallari në qendër të hetimeve: Pasuria 3 milionë euro dhe nisja e çështjes nga një “G Class”