Gjykata E Lartë Zgjedh Asim Vokshin, Por Lëvizjet Në Kushtetuese Zbardhin Rrjetin E Lidhjeve

0

Asim Vokshi u zgjodh zyrtarisht nga Gjykata e Lartë si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke zënë vendin vakant të shpallur që në fund të vitit 2024. Por ky emërim, edhe pse formalisht i rregullt, lidhet drejtpërdrejt me prapaskenat e mëdha që kanë shoqëruar muajt e fundit garën për Kushtetuesen.

Procesi i përzgjedhjes

23 shtator 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) depozitoi raportin dhe listën e renditjes së kandidatëve për vendin bosh. Pas kësaj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, thirri mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve, e cila u zhvillua më 30 shtator 2025, ku rezultoi fitues Vokshi.

Në dukje, një procedurë standarde. Por e vërteta është se ky emër ka qenë prej kohësh pjesë e listës së preferuar të qarqeve të brendshme, të cilat kanë ndikuar fuqishëm në proces.

Kush është Asim Vokshi

Vokshi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, është prej kohësh i përfolur për lidhjet e ngushta me rrethin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Bashkëshortja e tij ka qenë asistente lektore në një kurs të drejtuar nga Argita Malltezi, vajza e Berishës. Vokshi ka ndjekur të njëjtën rrugë karriere me gjyqtarë si Fatri Islamaj, i njohur për afërsinë me të njëjtin rreth politik, dhe ka pasur lidhje miqësore e profesionale me Edlira Petrin, bashkëshorten e Sadushit.

Këto fijë lidhjesh e bëjnë Vokshin një emër që nuk mund të shihet thjesht si produkt i meritës profesionale.

Rrjeti i fshehtë i emërimeve

Emërimi i Vokshit vjen në të njëjtin kontekst ku përmenden edhe Alban Toro dhe Florian Ballhysa si kandidatë të fortë për Kushtetuesen. Toro ka një rrjet familjar të konsoliduar në drejtësi përmes bashkëshortes së tij gjyqtare, ndërsa Ballhysa, ish-komisioner i Vettingut, është akuzuar për përdorim selektiv të ankimimeve për të mbrojtur gjyqtarë problematikë dhe për të eliminuar të tjerë.

Në të tria rastet, fijet lidhen në një pikë: ndikimin e Sokol Sadushit, i cilësuar shpesh si dirigjenti i padukshëm i gjyqësorit shqiptar.

Çfarë pritet

Zyrtarisht, ky emërim shihet si plotësim i vakancave dhe forcim i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vuajtur për vite nga mungesa e anëtarëve. Por jozyrtarisht, është një hap tjetër në drejtim të mbylljes së qarkut të kontrollit mbi Kushtetuesen.


Artikulli i mëparshëmQeveria Miraton Vendimin, Nga 1 Tetori Indeksohen Pensionet
Artikulli i radhësErdogani Përshëndet Përpjekjet E Trump Për T’i Dhënë Fund Luftës Në Gazë