“Lekët ia çova Dumanit, 85 mijë euro” – Dëshmia që zbardh ekzekutimin e Emiljano Ramazanit

0

Bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë një tjetër dëshmi tronditëse, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si u ekzekutua Emiljano Ramazani në vitin 2020 dhe rolin e figurave të botës së krimit në këtë ngjarje.

Roli i Xhuliano Hoxhës

Alibej tregoi se Xhuliano Hoxha ishte informatori kryesor që i sinjalizonte lëvizjet e Ramazanit, veçanërisht praninë e tij të shpeshtë në palestër. Komunikimet, sipas dëshmisë, janë bërë në rrjetin e koduar Sky ECC, ku çdo hap i viktimës u përcoll në kohë reale.

“Ditën e ekzekutimit, vetëm ai ka qenë informator. Qëndronte pranë palestres dhe më jepte çdo informacion. Për mua ishte i besueshëm,” u shpreh Alibej.

Pagesat dhe lidhjet me Dumani

I penduari rrëfeu se pas vrasjes kishte detyrimin financiar ndaj grupit të Nuredin Dumanit. “Duhet të çoja pagesën tek rrethi, pranë TEG. Kam dërguar Arsen Preçin me 80-85 mijë euro. Një vajzë shkoi me taksi dhe mori lekët,” tha ai, duke sqaruar se Dumani nuk e njihte Ramazanin, por informacionet ia kishte dhënë vetë.

Përfshirja në vrasje të tjera

Në dëshmi u përmend edhe tentativa për eliminimin e Bujar Çelës, ku sipas Alibej, ishin ngarkuar Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj, por plani nuk u finalizua. Edhe në këtë rast, sipas tij, Xhuliano Hoxha ka pasur rolin e informatorit.

Një rrëfim që rëndon edhe më shumë dosjen

Deklaratat e reja të Alibej e lidhin vrasjen e Ramazanit me një rrjet të gjerë emrash të njohur të botës së krimit, duke zbuluar mekanizmat e pagesave, kanalet e komunikimit dhe mënyrën sesi organizoheshin ekzekutimet.

Ky rrëfim e forcon akoma më shumë panoramën e përgjakshme ku emra si Talo Çela, Mikael Qosja dhe vëllezërit Çopja shfaqen si hallka të një zinxhiri mafioz që prej vitesh ushqen spiralen e dhunës në vend.


Artikulli i mëparshëmI riu shqiptar gjendet i varur në Bruksel, autoritetet flasin për metoda të bandave meksikane
Artikulli i radhësKlanet në Drejtësi: Llagami, Veliaj dhe përplasja për Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë