Veliaj pas shkarkimit: Nga qelia sfidon drejtësinë e re dhe paralajmëron ‘re të zezë frike’ mbi Shqipëri

0

Erion Veliaj ka reaguar pas shkarkimit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vendim i marrë nga qeveria. Mesazhi i tij, i publikuar në rrjetet sociale, vjen nga qelia ku ndodhet, dhe përmban tone sfiduese ndaj asaj që e quan “drejtësi e re” dhe “re e zezë frike” që ka kapluar vendin.

Veliaj: Jam më i fortë se kurrë

Në postimin e tij, Veliaj shprehet se është “më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën”, duke theksuar se Shqipëria nuk duhet të kthehet në një “koloni penale”. Ai e quan procesin ndaj tij një kurth të ndërtuar mbi akuza të rreme, vetting të paligjshëm dhe një sabotim të Kryeqytetit “në kulmin e suksesit”.

Veliaj falënderoi për mbështetjen e marrë në letrat që i kanë ardhur nga qytetarët dhe premtoi se do të vazhdojë luftën jo vetëm për veten, por edhe për çdo shqiptar që jeton nën frikën e përgjonjes dhe presionit politik.

Rrëfimi noterial që ndryshon narrativën

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit lidhet me apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, i cili sipas Veliajt ka pranuar se deklaratat e dhëna ndaj tij ishin të rreme dhe të ndikuara nga premtime të mediave dhe individëve me interesa politike.

Në dokument, Longinotti thekson se nuk e ka takuar kurrë Veliajn, nuk ka njohuri për ndonjë përfshirje të tij në blerjen e inceneratorit dhe se akuzat ishin fabrikuar për përfitime financiare.

Mesazhi për kundërshtarët dhe qytetarët

Veliaj tha se është i burgosur fizikisht, por “jo në burg” shpirtërisht, duke e konsideruar ndërgjegjen e tij të lirë. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen para frikës dhe të kuptojnë se “e vërteta do t’i bëjë të lirë”.

Sipas tij, kjo betejë nuk është thjesht personale, por një përplasje mes së mirës dhe së keqes, mes të drejtës dhe fabrikimeve politike.


Reagimi i plotë i Erion Veliajt

“Uroj të jeni mirë! Mirënjohje për qindra letrat tuaja, që më japin kurajë çdo ditë. Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!

Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.

Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen.

E bëj këtë për disa grupe:

– Për italianin, që as më njeh e as e njoh, por që nisi një zinxhir jetëshkatërrues ngjarjesh, që të kuptojë se nuk jam hakmarrës, por ai dhe kushdo tjetër këtu në Shqipëri, duhet të kuptojë që fjalët kanë peshë, e kur janë të rreme thyejnë karriera, qytete e familje, që do duan dekada të rikuperohen.

– Për të tjerët, që u bënë me vetëdije apo me zell politik pjesë e këtij fabrikimi. Dua t’u them se unë jam i burgosur, por nuk jam në burg. Jam i qetë dhe i çliruar në ndërgjegjen time. Shpresoj që të keni fuqi të çliroheni nga burgu i ligësisë suaj ku keni mbyllur veten, pasi e vërteta e rrëfimi do t’ju bëjë të lirë!

– Por, më e rëndësishmja e bëj për çdo shqiptar që jeton me frikë mos përgjohet, kërkon linjë të sigurt të flasë me të shtëpisë, kthen kokën pas mos po e ndjekin, vë gishtin mbi buzë se mos dëgjohet, apo fsheh telefonin poshtë vitheve në karrike! Shqipëria nuk është një koloni penale dhe s’duhet lejuar kurrë kjo re e zezë frike që ka kapluar vendin në emër të drejtësisë së re.

Ju përqafoj me mall të gjithëve! Do të luftoj për vete dhe për secilin prej jush!”


Pjesë nga rrëfimi noterial i Gabriele Tarroni Longinotti-t

  1. “Nuk kam parë kurrë z. Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në prani të personave të tjerë, në Itali apo të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të kishte lidhje me inceneratorin;
  2. Nuk e kam takuar kurrë z. Erion Veliaj, as personalisht as në prani të personave të tjerë, as në Itali as në Shqipëri, në ‘Cioccolati Italiani’ apo ‘Tribe’, dhe as nuk kam komunikuar me të, as personalisht as përmes personave të tjerë, me telefonata, mesazhe apo në ndonjë formë tjetër komunikimi;
  3. Nuk kam as njohuri e as prova që z. Erion Veliaj të ketë marrë pjesë apo të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;
  4. Të gjitha deklaratat që kam dhënë në lidhje me z. Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin ‘Piranjat’ në ‘Syri TV’, si edhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to, për përfitime financiare.”

Artikulli i mëparshëmFidan sfidon Erdoganin: Një fjali për avionin KAAN ndez betejën për fronin në Ankara
Artikulli i radhësOpozita zgjedh tre emra jashtë politikës për garën në Bashkinë e Tiranës