Deputeti socialist Loer Kume reagon pas arrestimit të vëllait: Gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet e tij

0

Deputeti i Partisë Socialiste, Loer Kume, ka reaguar publikisht pas arrestimit të vëllait të tij, Enea Kume, gjatë operacionit të zhvilluar nga SPAK në Durrës, i cili çoi në shkatërrimin e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasjen e Edmir Bregut dhe falsifikimin masiv të pronave.

Në një intervistë për Ora News, Kume pranoi se ishte vënë në dijeni që mbrëmjen e kaluar për arrestimin e të afërmit të tij dhe nënvizoi se për sa kohë nuk ka një vendim përfundimtar fajësie, ai do ta konsiderojë të pafajshëm.

“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë”, u shpreh ai.

Deputeti socialist shtoi se nuk dëshiron të nxitohet me gjykime, duke theksuar se secili është përgjegjës për veprimet dhe vendimet që merr gjatë jetës:

“Të mos flasim para kohe, por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij.”

Loer Kume u zgjodh deputet i PS-sëQarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe u betua në Parlament më 18 shtator. Arrestimi i vëllait të tij pritet të shkaktojë debat të fortë politik dhe publik, duke ngritur pyetje mbi lidhjet e krimit me figurat pranë pushtetit.


Artikulli i mëparshëmOperacioni i SPAK: Avdylajt dhanë urdhër për vrasjen e Edmir Bregut, përfshirë edhe vëllai i deputetit të PS