Kandidati I PD Për Tiranën, Florian Binaj, Një Marrëdhënie E Shkëlqyer Me Edi Ramën: Opozita Në Mëshirën E “Ramëve”

0

Opozita shqiptare duket se ka hyrë në një spirale ironike të vetëshkatërrimit politik. Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha, ka zgjedhur si kandidat për Tiranën Florian Binajn, ish-humoristin e “Portokallisë”, i cili për vite të tëra ka qenë në marrëdhënie të shkëlqyer me Edi Ramën – njeriun që ai do të duhet ta sfidojë përmes figurës së Ogerta Manastirliut në garën e 9 nëntorit.

Binaj, i njohur për imitimin brilant të Ramës në skenën humoristike, nuk e ka fshehur asnjëherë respektin dhe miqësinë ndaj kryeministrit. Madje, ai ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga Partia Socialiste, ku është shprehur mirënjohës ndaj Ramës për “ndihmën” e dhënë në fillimet e karrierës së tij. “Para 9 vitesh kur unë hyra në Portokalli, ishte takimi i parë me kryetarin e PS që më dha një mandarinë që më solli shumë fat. Sot ia kthej me një portokall,” kishte thënë Binaj në një nga aktivitetet festive të socialistëve.

Vetë Rama, në mënyrën e tij teatrale, ia hoqi kravatën e vet dhe ia dhuroi Binajt, duke cituar me batutë: “Ky e ka meritue.” Por marrëdhënia e ngrohtë mes tyre nuk u ndal këtu. Në 35-vjetorin e humoristit, Rama e ka uruar publikisht, duke e quajtur “një djalë king, me botë të bukur dhe të talentuar,” dhe duke e vlerësuar për “artin emancipues që sjell në shoqëri.”

Në një vend ku betejat politike janë kthyer në spektakël, opozita po përpiqet të gjejë shpresë te një figurë jopartiake, në mungesë të emrave të fortë si Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku, që refuzuan garën.

Në këtë panoramë ku PD dhe Berisha duken të mbërthyer në mëshirën e “ramëve”, loja politike rrezikon të kthehet në farsë. Një artist që dikur imitonte kryeministrin në skenë, sot garon për t’u përballur me hijen e tij në realitet. Dhe ndërsa Tirana pret fushatën më të çuditshme të dekadës, pyetja që mbetet pezull është: A po qesh Rama edhe kësaj here?


Artikulli i mëparshëmStudentja 19-vjeçare digjet e gjallë brenda Cybertruck-ut të Teslas: prindërit padisin kompaninë për “defekt fatal”
Artikulli i radhësVdekja Tragjike E 3-Vjeçarit Pas Ndërhyrjes Dentare/ Arrestohet Mjeku Roland Xhaxho, Vajza E Tij Ina Dhe Asistentja Marta Gina Për “Vrasje Nga Pakujdesia”