
Një aksident tragjik në Kaliforni ka ndezur debat të fortë mbi sigurinë e makinave elektrike, pasi një studente 19-vjeçare humbi jetën e bllokuar brenda një Tesla Cybertruck që shpërtheu në flakë.
Krysta Michelle Tsukahara, studente në vitin e dytë në “Savannah College of Art and Design”, po udhëtonte me tre miq të saj në qytetin Piedmont, Kaliforni, në nëntor të vitit të kaluar, kur automjeti u përplas me shpejtësi të lartë në një pemë dhe më pas mori flakë.
Sipas padisë së ngritur nga prindërit e saj, Carl dhe Noelle Tsukahara, vajza fillimisht kishte pësuar vetëm dëmtime të lehta, por vdiq nga djegiet dhe asfiksia, pasi dyert e Cybertruck-ut nuk hapeshin. Dokumentet ligjore theksojnë se defekti në sistemin elektrik të dyerve i bëri ato të papërdorshme kur energjia e baterisë u ndërpre pas përplasjes.
Për më tepër, mekanizmi manual i hapjes, që ndodhej në brendësi, ishte “jashtëzakonisht i vështirë për t’u lokalizuar në kushte emergjence”, duke e lënë Krystën të bllokuar brenda, ndërsa automjeti digjej.
Tre persona humbën jetën në vend, përfshirë drejtuesin Soren Dixon (19) dhe pasagjerin Jack Nelson (20), ndërsa një i katërt mbijetoi me lëndime.
Prindërit e viktimës akuzojnë Elon Musk dhe kompaninë Tesla se kanë qenë prej vitesh në dijeni të këtij defekti, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për ta rregulluar, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një rreziku të njohur. Ata e kanë zgjeruar padinë e paraqitur në prill, duke dorëzuar një kërkesë 36-faqëshe për vdekje të padrejtë në gjykatën amerikane.
Ekspertët e sigurisë së automjeteve paralajmërojnë se makinat elektrike me sistem dyersh të kontrolluara nga bateria mund të jenë fatale në raste aksidenti, pasi shkëputja e energjisë bllokon automatikisht daljet, duke e bërë të pamundur evakuimin në kohë.