
Kryetari i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Erjon Bani, ka bërë një deklaratë të fortë pas homazheve për gjyqtarin Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht në sallën e gjyqit.
Bani u shpreh se godinat aktuale të gjykatave janë të papërshtatshme dhe të rrezikshme, duke theksuar se kërkesa për kushte më të mira është ngritur prej kohësh, por nuk është marrë seriozisht nga autoritetet përkatëse.
“Nuk mund të lihen gjykatat në këtë situatë, godinat duhen të reja. E kemi kërkuar këtë më herët. Ky duhet të jetë moment reflektimi për të gjithë,” – u shpreh shkurtimisht Bani.
Deklarata e tij vjen në një moment të ndjeshëm për sistemin e drejtësisë, ku ngjarja e rëndë në sallën e gjyqit ka ngritur sërish pyetje mbi sigurinë, infrastrukturën dhe kushtet e punës në institucionet gjyqësore.
Analistët e konsiderojnë këtë si një sinjal alarmi për qeverinë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, që prej vitesh kanë në plan ndërtimin e një “kompleksi të ri gjyqësor” për Tiranën, projekt që ende nuk ka marrë formë konkrete.