
Homazhet për gjyqtarin e ndjerë Astrit Kalaja u shndërruan në një paradë deklaratash boshe. Një pas tjetrit, krerët e institucioneve më të larta të drejtësisë dolën përpara kamerave për të folur për “sigurinë e munguar”, “nevojën për godina të reja” dhe “momentin e reflektimit”. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, foli për “siguri në nivelin zero”. Kreu i GJKKO-së, Erjon Bani, për “ndërhyrje urgjente në infrastrukturë”. Të dy, me tone serioze, përshkruan një realitet që – për herë të parë – i prek vetë ata. Por në të vërtetë, kjo tragjedi nuk lindi nga mungesa e mureve të reja, as nga kamerat e sigurisë. Ajo lindi nga mungesa e drejtësisë së vërtetë.
Një sistem që kërkon mbrojtje, por s’ka mbrojtur askënd
Për më shumë se 35 vite tranzicion, gjyqtarët shqiptarë kanë qenë në thelb të paprekshëm. Të privilegjuar në një shoqëri të varfër, të sigurtë në karrierat e tyre dhe të mbrojtur nga çdo lloj përgjegjësie morale. Në një vend ku qytetarët tremben për punën, shëndetin, të ardhmen, gjyqtarët kanë qenë ndër të paktët që nuk kanë ndjerë kurrë frikë – as për sigurinë, as për ekzistencën e tyre.
Incidentet mes gjyqtarëve numërohen me gishtat e njërës dorë. Dhe jo sepse sistemi ka qenë i përsosur, por sepse ata kanë jetuar në një ishull privilegjesh, të izoluar nga realiteti i atyre që gjykojnë. Ata kanë pasur paga mesatare, por mënyrë jetese që shpesh s’e justifikon asnjë shifër ligjore.
Prandaj, kur sot dëgjojmë drejtuesit e sistemit të kërkojnë “siguri për gjyqtarët që të japin drejtësi”, pyetja e vërtetë është:
po kush do t’u japë siguri qytetarëve nga gjyqtarët?
Tragjedia që erdhi nga perceptimi, jo nga mungesa e rojeve
Vrasja në sallën e gjyqit nuk është thjesht rezultat i një dështimi fizik të sigurisë. Është pasojë e një perceptimi të rrënjosur për mungesë drejtësie. Një shpërthim i besimit të humbur ndaj sistemit që duhej të ishte garanci, por u kthye në sinonim të padrejtësisë.
Autori bëri të paimagjinueshme, vrau një njeri; por plumbat goditën në mënyrë simbolike edhe institucionin që për shumëkënd ka pushuar së përfaqësuari drejtësinë. Ky akt nuk justifikohet, por shpjegohet. Dhe nëse drejtësia kërkon të kuptojë pse ndodhi, duhet të shohë në pasqyrë, jo drejt kamerave.
Ironia e momentit të reflektimit
Tani, gjykatat kërkojnë godina të reja. Kreu i GJKKO-së flet për ndërtesa moderne. Kreu i Gjykatës së Lartë për roje e masa sigurie. Por në një sistem ku gjykimi i drejtë mungon, çdo mur i ri do të jetë një fasadë më shumë mbi kalbëzimin moral.
Sepse ajo që duhet të rindërtohet nuk është godina, por ndërgjegjja e sistemit.
Nëse ky është vërtet “moment reflektimi”, atëherë le të fillojë nga e vërteta më e thjeshtë:
drejtësia në Shqipëri është në rrezik sepse u vra besimi tek ajo.