
Nga një lokal 24-orësh në “Myslym Shyri” në një perandori të vërtetë luksi me Lamborghini, Rolls Royce, apartamente dhe llogari bankare milionëshe — kjo është historia e jashtëzakonshme që ka tronditur sot Tiranën.
SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë 5 milionë euro, që i përkasin pronarit të “Monopol”, A.K., i cili sipas hetimeve, kishte ngritur një rrjet biznesesh për të fshehur origjinën e parave të pista.
Në listën e sekuestrimeve hyjnë:
- 7 apartamente luksoze dhe 6 njësi tregtare në rrugën “Myslym Shyri”;
- 32 automjete, mes tyre një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan;
- 52 llogari bankare, të cilat dyshohet se përdoren për qarkullime fiktive.
Hetimet zbulojnë një skemë të sofistikuar pastrimi parash, ku bizneset e sapohapura shërbenin si fasadë për fitime të dyshimta.
Në qendër të saj: kompania “Monopol sh.p.k.”, së bashku me “Elite Event” dhe “Monopol Bar Lounge 24 ore”, të gjitha të lidhura me A.K.
Burime të afërta me dosjen thonë se rrjeti i kompanive ishte ngritur në vetëm pak muaj, duke gjeneruar shifra të larta pa burim real ekonomik.
Sipas vendimit nr. 622, datë 3 tetor 2025, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestron preventive, ndërsa Policia e Shtetit dhe Agjencia e Pasurive të Sekuestruara kanë marrë në dorë administrimin e pronave.
Kjo është një nga goditjet më të mëdha të SPAK ndaj bizneseve të luksit që maskojnë paratë e krimit, duke i kthyer rrugët më të shtrenjta të Tiranës në skenën e një hetimi spektakolar që po trondit botën e sipërmarrjes urbane.