
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij ka dalë fituese në 12 komuna të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një rikthim historik të LDK-së në skenën politike vendore.
Në një deklaratë për mediat, Abdixhiku tha se në Pejë, kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, pritet të sigurojë fitoren me ndihmën e votave të diasporës, ndërsa përgëzoi Përparim Ramën për fitoren në Prishtinë.
“LDK sonte shpall fitoren. Në Pejë është 49%, presim që me votat e diasporës të kalojë 50%. Urojmë fituesin e garës kryesore në këto zgjedhje, Përparim Ramën. Një konferencë e fitores së madhe të LDK-së,” – u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se kjo është hera e parë pas 12 vitesh që LDK është forca e parë në Prishtinë, si për kandidatin për kryetar komune ashtu edhe për asamblenë komunale.
Sipas të dhënave që Abdixhiku ndau nga komisionerët e partisë, në Prishtinë rezultati është si vijon:
- Përparim Rama (LDK) – 36%
- Hajrulla Çeku (LVV) – 32%
- Uran Ismaili (PDK) – 26%
Ai shtoi gjithashtu se LDK prin në Viti, Obiliq dhe Dragash, ndërsa është në balotazh në Fushë Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.
Abdixhiku e cilësoi këtë rezultat si një fitore të qytetarëve të Kosovës dhe konfirmim të ringritjes së LDK-së si forca e parë opozitare dhe tashmë udhëheqëse në disa komuna kyçe.