
Bashkimi Europian ka nisur zbatimin e sistemit të ri EES (Entry/Exit System), që parashikon regjistrimin elektronik të hyrje-daljeve në kufijtë e jashtëm për të gjithë shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së. Ky sistem digjital, që hyri në fuqi të dielën e 12 tetorit 2025, do të zëvendësojë vulat fizike në pasaporta me regjistrime biometrike dhe elektronike.
Si funksionon sistemi i ri EES
Sipas Komisionit Europian, sistemi regjistron automatikisht të dhënat personale, përfshirë gjurmët e gishtërinjve, fotografinë e fytyrës dhe të dhënat e pasaportës, në momentin e hyrjes në hapësirën Schengen.
Në udhëtimet e mëvonshme, nuk do të kërkohet më vula, por identifikim biometrik, i cili do të mundësojë kalime më të shpejta përmes terminaleve me vetëshërbim ose aplikacionit online.
Për shtetasit e vendeve anëtare të BE-së, procedurat mbeten të pandryshuara. Por për udhëtarët nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia, si edhe nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli apo Koreja e Jugut, sistemi do të jetë i detyrueshëm.
Qëllimi: më shumë siguri dhe kontroll ndaj migracionit
Komisari europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, theksoi se EES është “shtylla digjitale e sigurisë kufitare të BE-së”, duke synuar parandalimin e mashtrimeve me identitet dhe migracionit të paligjshëm.
Sistemi do të ndihmojë gjithashtu në identifikimin e personave që tejkalojnë afatet e qëndrimit të lejuar, duke u bërë pjesë e kuadrit të ri të përbashkët europian për migracionin dhe azilin.
Zbatimi i plotë dhe tarifat ETIAS
Sipas BE-së, sistemi do të shtrihet gradualisht në të gjitha 29 vendet e hapësirës Schengen brenda prillit 2026, kur vulat në pasaporta do të hiqen përfundimisht.
Në fazën pasuese, pritet të hyjë në fuqi edhe ETIAS, një sistem online që do të kërkojë aplikim për leje udhëtimi për shtetasit e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Ky aplikim do të mund të refuzohet në rast dyshimesh për sigurinë.
Sistemi tashmë ka nisur zbatimin në disa pika hyrëse, përfshirë aeroportet e Dyseldorfit, Frankfurtit dhe Mynihut, dhe do të zgjerohet në të gjitha pikat kufitare dhe portet europiane.