
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar procesin zgjedhor të 12 tetorit si një shembull të suksesshëm të demokracisë kosovare, duke e cilësuar rezultatin e partisë së tij si një fitore historike.
“Jam i lumtur që mund të konstatoj se Kosova ka pasur një proces të suksesshëm zgjedhor,” – deklaroi Haradinaj, duke shtuar se sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, AAK ka arritur rezultate të larta në disa komuna të vendit.
Sipas tij, Aleanca ka fituar bindshëm në Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Deçan dhe Klinë, ndërsa në disa komuna të tjera gara pritet të vazhdojë në raundin e dytë.
Haradinaj theksoi se AAK ka garuar në 25 komuna për kryetarë dhe në 28 komuna për asamble komunale, duke regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të asamblistëve në nivel vendi. Ai falënderoi qytetarët, komisionerët dhe vëzhguesit për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në proces.
“Dëshiroj t’i falënderoj komisionerët, vëzhguesit dhe të gjithë qytetarët që na kanë besuar votën. Fitorja e AAK-së është fitorja e demokracisë,” – përfundoi Haradinaj.