
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, ku në qendër të diskutimit ishte Faza e Parë e Planit të Paqes dhe lirimi i shumëpritur i pengjeve.
Në një postim në platformën X, Spiropali e quajti bisedën “thellësisht domethënëse”, duke theksuar se marrëveshja e paqes, e frymëzuar nga përpjekjet ndërkombëtare të udhëhequra nga Presidenti Donald Trump, përfaqëson një hap të rëndësishëm humanitar dhe një “triumf të jetës, dinjitetit dhe solidaritetit njerëzor”.
“Në prag të lirimit të pengjeve, pata një bisedë të ngrohtë me homologun tim izraelit Gideon Sa’ar. Reflektuam mbi rëndësinë e këtij momenti për paqen dhe njerëzimin. Me kënaqësi pranova ftesën e tij për të vizituar Izraelin javën e ardhshme,” – shkroi Spiropali.
Ajo shtoi se vizita do të shërbejë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh, për të zgjeruar partneritetin ekonomik dhe për të forcuar lidhjet historike midis Shqipërisë dhe Izraelit.
“Uroj që ky moment t’i kujtojë botës se edhe në kohët më të vështira, vizioni dhe humanizmi mund të triumfojnë,” – përfundoi ministrja shqiptare.