Shqipëria midis kullave bosh dhe fabrikave të mbyllura: ekonomia që ndërtohet mbi rërë

0

Një zhvillim i rremë që matet me beton

Prej më shumë se 20 vitesh, në Shqipëri, fjala “zhvillim” është barazuar me ndërtim. Jo me rritje ekonomike, jo me industri prodhuese apo me rritje eksportesh, por me betonin që ngrihet mbi çdo hapësirë të lirë. Çdo qeveri ka dashur ta masë suksesin e vet me numrin e lejeve të ndërtimit dhe jo me numrin e vendeve të punës të krijuara në prodhim.

Nga një ekonomi që dikur kishte qindra punishte fasoni e që prodhonte për markat më të njohura të Europës, sot jemi kthyer në një treg ndërtuesish dhe ndërmjetësish. Kullat janë bërë simboli i zhvillimit fiktiv: duken si luks, por fshehin boshllëkun e një ekonomie që nuk krijon vlerë të qëndrueshme.


Industria fason, dikur shpëtim, sot shembje e qetë

Raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregon një realitet të frikshëm: markat e njohura si Esprit, Calvin Klein, Tommy Hilfiger, Bonprix, The North Face dhe Ralph Lauren janë larguar nga Shqipëria.
Arsyeja? Rritja e kostove të prodhimit, zhvlerësimi i euros, pagat minimale që rriten artificialisht, dhe mungesa e një strategjie kombëtare për mbajtjen e industrisë.

Në vitin 2019, Benetton kishte pesë furnizues në vendin tonë — sot asnjë. Edhe Cotonella, një nga emrat më të hershëm italianë në sektorin tekstil, është zhvendosur në Uzbekistan. Kral Shoes e ka çuar 30% të prodhimit në Tunizi, e shumë të tjera do të ndjekin të njëjtin rrugëtim.

Ky është rezultati i një ekonomie që nuk mendon për zinxhirin e vlerës, por për zinxhirin e betonit. Një ekonomi që nuk nxit inovacionin, por lejet e ndërtimit.


Kullat ngrihen, njerëzit ikin

Ndërsa Shqipëria sheh rekord në numrin e lejeve të ndërtimit, çdo vit largohet një qytet i tërë. Fshatrat boshatisen, qytetet mbeten pa punëtorë, dhe ndërkohë në Tiranë ngrihen kulla që askush nuk do t’i banojë.

Sot, emigracioni nuk është më “ikje për një jetë më të mirë”, por largim nga një vend që nuk ofron as të ardhme ekonomike, as dinjitet pune. Paga 450–500 euro në sektorin fason nuk konkuron më as me Maqedoninë, e aq më pak me Tunizinë apo Egjiptin.

Në të njëjtën kohë, qeveria propagandon “rritje ekonomike” përmes ndërtimit të kullave — si të ishte kjo një strategji zhvillimi, e jo një flluskë betoni që fryhet mbi shpinën e një populli që po zhduket ngadalë.


Nga “skllavopronarë modernë” te ironia e pushtetit

Kryeministri do të gjejë me siguri ndonjë batutë — do ta quajë fasonin “model të vjetruar” apo “skllavopronari modern”. Por në realitet, kjo industri ka mbajtur mijëra familje për dekada dhe ka qenë ndër të paktat sektorë që eksportonte vlerë reale.
Kur qeveria i kthen shpinën punës dhe prodhimit, ajo zgjedh rrugën më të lehtë: të shitet dielli nën hijen e kullave.


Një vend që nuk prodhon, zhduket

Shqipëria ndodhet në një moment kritik ekonomik dhe social. Ndërtimet nuk janë zhvillim, janë simptomë e një ekonomie të sëmurë që jeton nga qarkullimi i parave, jo nga prodhimi i tyre.

Nëse kjo qeveri nuk kupton se asnjë vend nuk pasurohet me beton, por me industri, dije dhe punë, atëherë shumë shpejt do të mbesim me kulla pa banorë, me fabrika pa punëtorë dhe me një vend pa të ardhme.


Qëllimi i qeverisë nuk mund të jetë të na ngrohë në diell dhe të na freskojë në hijen e kullave të Tiranës, por të ndërtojë një Shqipëri që prodhon, krijon dhe qëndron.

Artikulli i mëparshëmAltin Dumani Paralajmëron Shpërbërjen E Mundshme Të SPAK-Ut Në Vitin 2028
Artikulli i radhësMakina Përplas Këmbësorin Përballë Kuvendit, 55-Vjeçari Në Gjendje Kritike