
Në Kuvendin e Shqipërisë tashmë nuk debatohet – opozita duhet të kërkojë leje për të kundërshtuar, dhe vetëm nëse Taulant Balla e lejon. Në një deklaratë që pasqyron më shumë frymën e një shteti monist sesa parlamentar, kreu i Grupit të PS-së tha se kërkesat e opozitës për mocion me debat “nuk do të pranohen nëse bien ndesh me rregulloren”. Por realiteti është i qartë: rregulloren e lexon siç i shkon për shtat mazhoranca, ndërsa debatet i mbyll me butonin e votave.
Në mënyrë të përsëritur, prej shtatë seancash rresht, PS ka mbyllur Kuvendin pa asnjë debat, duke e kthyer institucionin më të lartë ligjvënës në një zgjatim mekanik të ekzekutivit. Kjo sjellje ka bërë që opozita të mos jetë më pjesë e vendimmarrjes – por thjesht një spektatore në “Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë 2.0”, siç e kanë pagëzuar me ironi analistët.
“Kërkesat sillini sipas rregullores, jo thashethemet e tavolinave,” tha Balla me ton paternalist, duke harruar se rregullorja e Kuvendit nuk është ligj privat i PS-së, por akt i përbashkët që garanton pluralizmin.
Kuvendi, skena e monologut socialist
Nën drejtimin e Niko Peleshit dhe me orkestrimin e Ballës, seancat janë kthyer në një ritual monologësh ku flasin vetëm socialistët. Deputetët e opozitës ndërpriten, u hiqet fjala, u mbyllet mikrofoni. Në vend të debatit parlamentar, në sallë dëgjohen shpjegime burokratike dhe justifikime politike përse “nuk është koha” për opozitën.
Ky është modeli i qeverisjes absolute të Edi Ramës, që e ka zgjatur kontrollin e tij edhe mbi Kuvendin, duke eliminuar çdo zë që e kundërshton. Parlamenti është kthyer në një studio televizive propagandistike, ku “Rregullorja” përdoret si pretekst për të heshtur kritikët.
Nga pluralizëm në parti-shtet
Në thelb, Shqipëria po shkon drejt një sistemi politik të deformuar, ku mazhoranca jo vetëm që sundon, por edhe përcakton mënyrën se si duhet të sillet opozita.
Nëse dikur rregullat ishin për të garantuar balancë, sot ato përdoren për të legjitimuar mungesën e saj. Kuvendi nuk është më arenë ideologjish, por një zyrë administrative e Partisë Socialiste, ku çdo fjalë e papërshtatshme quhet “kundër rregullores”.
Dhe në këtë klimë, Republika e Re e Ramës i ngjan gjithnjë e më shumë një riprodhimi të viteve të diktaturës, me “partinë udhëheqëse”, “popullin dakord”, dhe opozitën që duhet të flasë vetëm kur i jepet radha.