
Gjykata e Lartë po shqyrton sot rekursin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë. Seanca gjyqësore ka nisur në orën 09:30 të mëngjesit dhe pritet të vendosë nëse Meta do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet në pritje të gjykimit.
Meta ka kërkuar në shkallën e tretë të gjyqësorit prishjen e vendimeve të dhëna më parë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO) dhe Apeli i GJKKO-së, të cilat i kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg.
Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit të vitit 2024, nën akuzat për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Hetimi i SPAK ka bashkuar në një dosje të vetme tre çështje të bujshme: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror të familjes Meta-Kryemadhi.
Në fund të gushtit, SPAK dorëzoi dosjen për gjykim, duke përfshirë edhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila përballet me të njëjtat akuza. Burime pranë prokurorisë konfirmojnë se hetimet kanë përfshirë transaksione ndërkombëtare, kontrata lobimi dhe pasuri të padeklaruara, duke u konsideruar si një nga rastet më të rëndësishme të korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri.
Nëse Gjykata e Lartë pranon rekursin, Meta mund të përfitojë nga zëvendësimi i masës së arrestit me “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitjeje”, por në rast të kundërt, ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Seanca e sotme pritet të tërheqë vëmendje të madhe publike, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë mund të ndikojë drejtpërdrejt në dinamikën politike të opozitës dhe në perceptimin publik mbi luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit.