
Në prag të protestës gjithëkombëtare që do të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e akuzoi për rolin e tij në themelimin e Gjykatës Speciale.
Në një reagim të gjatë publik, Rama u shpreh se Vetëvendosje “i kushtoi një çarçaf të gjatë” me akuza të pabaza, ndërsa theksoi se nuk është në garë me këtë forcë politike. “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se para 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti,” shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nuk është as organizator dhe as folës i protestës, por do ta mbështeste si qytetar i thjeshtë, nëse pjesëmarrja e tij nuk do të rrezikonte ta politizonte nismën. “Do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim, me dashje ose jo, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” u shpreh Rama.
Duke iu referuar akuzave të Vetëvendosjes për qëndrimet e tij të para një dekade, Rama ironizoi: “Lëvizja atëherë nuk njihte as himnin e Kosovës, e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë.”
Ai kujtoi se Gjykata Speciale u ngrit për akuzat e trafikimit të organeve, dhe jo për të marrë peng Presidentin e Kosovës, siç ndodhi më pas sipas tij. Rama e mbylli reagimin duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe shmangie të retorikës përçarëse, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të përzihen me “çorbën e balotazheve komunale.”
Protesta “Drejtësi për Çlirimtarët” do të mbahet të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.