Ekzekutoi Biznesmenin Italian Në Tepelenë – Vetëdorëzohet Autori I Krimit Pas Negociatave Me Policinë

0

Autori i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë është vetëdorëzuar në polici, duke i dhënë fund një kërkimi disa-javor që kishte tronditur opinionin publik.
Kamber Sulçaj, 48 vjeç, nga fshati Mesaplik i Vlorës, u paraqit sot në Policinë e Gjirokastrës, i shoqëruar nga avokati i tij dhe me armën e krimit në dorë, pas negociatave të gjata me forcat e rendit.

Sipas burimeve zyrtare, Sulçaj është aksioner në gurore “Stone Quramenga” në Brataj të Selenicës, ku zotëron 25% të aksioneve, ndërsa babai i tij Delo Sulçaj ka 20% dhe vëllai Akil (alias Ermal) Sulçaj ka 15%.
Në të njëjtën gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë që nuk kanë lidhje familjare me ta.

Hetimet kanë zbuluar se Sulçaj ka qenë i përfshirë më parë në ngjarje penale. Në vitin 2021, policia e Vlorës arrestoi vëllain e tij Gazmend Sulçaj dhe kushëririn Roel Sulçaj me 2 632 fara kanabisi, të cilat do të përdoreshin për kultivim.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të fundit, në banesën e Kamber Sulçajt dhe të familjarëve të tij, policia gjeti 450 fara të tjera kanabisi.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 shtator, kur biznesmeni italian Edoardo Sarchi u ekzekutua në mënyrë mafioze në Tepelenë. Vetëdorëzimi i autorit mbyll një prej ngjarjeve kriminale më të komentuara të muajve të fundit, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë masë sigurie “arrest me burg” për të.


Artikulli i mëparshëmErjon Alibej Zbërthen Krimet e Grupit “Plumbi i Artë” në Gjykatë: Pranon Financimin dhe Pjesëmarrjen në Pesë Vrasje Mafioze