
Prej më shumë se tre vitesh, Shqipëria vazhdon të jetojë me hijen e një misteri të pazgjidhur: zhdukjen e Ervis Martinajt, njeriut që dikur konsiderohej “mbreti i lojërave të fatit”. Babai i tij, më 22 tetor, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës për ta shpallur zyrtarisht të birin të zhdukur – një hap që duket si kapitulli i fundit ligjor i një historie pa fund.
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka rindërtuar edhe njëherë episodin e fundit të njohur të Martinajt, një detaj që ai e kishte përmendur për herë të parë në emisionin “Opinion” më 1 shtator 2022. “Ka qenë diku rreth orës 17:00 të datës 9 gusht, kur Martinaj ka dërguar mesazhin e fundit: ‘A i keni hedhur gjë luanit?’ – u ka thënë familjarëve. Pas këtij SMS-i, kontaktet janë ndërprerë përgjithmonë,” ka treguar Hoxha.
Në banesën e tij, Martinaj mbante një këlysh luani, simbol i pasurisë dhe pushtetit që e kishte shoqëruar gjatë viteve të tij të ndikimit në botën e errët të kumarit dhe marrëdhënieve me grupe të armatosura. Por pas zhdukjes së tij më 9 gusht 2022, çdo gjurmë është zhdukur po aq qetësisht sa ai vetë.
Hoxha ka qenë i prerë: “Ervis Martinaj është eliminuar dhe kufoma e tij është zhdukur. Në Shqipëri nuk i fshihesh dot hasmit. Informacioni më i qëndrueshëm që kam thotë se kufoma është në tokë.”
Ndërkohë, ndaj Martinajt kanë ekzistuar dy urdhër-arreste nga SPAK, dhe policia ka zhvilluar me dhjetëra kontrolle në banesa në Shijak, Durrës dhe Vlorë, por pa rezultat.
Gazetari shton se Martinaj nuk vinte nga krimi: “Familja e tij ka qenë e ngritur ekonomikisht, të gjithë me shkollim dhe biznese legjitime. Por kundërshtarët e tij ishin të tillë që nuk i afroheshin dot – kërkonin dronë me lazer, me lëndë shpërthyese.”
Sot, më shumë se tri vite pas zhdukjes, çështja e Martinajt mbetet një plagë e hapur në kujtesën publike. Ndërsa hetimet formalisht vazhdojnë, opinioni publik duket se e ka pranuar fatin e parathënë: në Shqipërinë e krimit dhe hakmarrjes, asnjë “mbret” nuk mbijeton përgjithmonë.
