Raporti I OSBE-ODIHR: PS Përdori Gjerësisht Burimet Publike Në Fushatë

0

Raporti përfundimtar i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) për zgjedhjet e 11 majit ka ngritur shqetësime të forta mbi mënyrën se si Partia Socialiste ka përdorur burimet publike gjatë fushatës elektorale, duke krijuar një avantazh të padrejtë ndaj kundërshtarëve politikë.

Përdorimi i burimeve administrative dhe presioni ndaj punonjësve publikë

Raporti thekson se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative, ndërkohë që “praktikat abuzive” nuk u ndaluan për shkak të mungesës së një kuadri ligjor efektiv dhe interpretimit të ngushtë të ligjit nga administrata zgjedhore.

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë. U raportuan shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë,” thuhet në raport.

Misioni vëren gjithashtu presione të përsëritura ndaj punonjësve bashkiakë, të cilët janë detyruar nga eprorët e tyre të mbështesin ose të marrin pjesë në fushatat e Partisë Socialiste.

Raporti thekson se rrjetet klienteliste janë përdorur gjerësisht nëpër bashki dhe institucione, përmes premtimeve për punësime, favorizime administrative, leje ndërtimi apo ndihma sociale me qëllim sigurimin e votave.

Frikësimi i votuesve dhe ndikimi i elementëve kriminalë

Sipas raportit, frikësimi i votuesve dhe presioni mbi komunitetet vulnerabël përbëjnë një cënim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike.
Në disa zona, u raportuan gjithashtu raste të blerjes së votave dhe përfshirjes së elementëve kriminalë në procesin zgjedhor, gjë që ndikon në integritetin e votës së lirë.

Financimi i fushatave dhe mungesa e transparencës

Një tjetër çështje që mbetet e pazgjidhur është financimi i fushatave elektorale.
ODIHR vëren se mungesa e rregullimit për huatë, shpenzimet online dhe kontributet e palëve të treta ka ul transparencën.
Asnjë forcë politike nuk publikoi databazë të donacioneve, ndërsa mungesa e mekanizmave ndëshkues ka lejuar abuzimet të vazhdojnë pa pasoja.

Mjedisi mediatik dhe kontrolli i informacionit

Raporti vë në dukje se aksesi i votuesve në informacion të paanshëm mbetet i kufizuar për shkak të përqendrimit të pronësisë së mediave, mungesës së pavarësisë editoriale dhe ndikimit politik.
Në shumë raste, përmbajtja redaksionale është zëvendësuar nga materiale të përgatitura nga institucionet shtetërore, duke kompromentuar integritetin editorial.

Agjencia e Medias dhe Informacionit pranë Kryeministrit përshkruhet si strukturë që qendërzon dhe filtron informacionin publik, duke kontrolluar rrjedhën e lajmeve mbi aktivitetet qeveritare.
Gazetarët raportojnë se u është kufizuar qasja në konferenca për shtyp dhe në disa raste u ndalohet pjesëmarrja në evente publike, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

Rekomandimet e OSBE-ODIHR

Në përfundim, raporti përfshin 25 rekomandime për autoritetet shqiptare.
Ndër më kryesoret janë:

  • Depolitizimi i administratës zgjedhore;
  • Ndalimi i përdorimit të burimeve publike që nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit;
  • Rritja e transparencës në financimin e fushatave;
  • Kufizimi i përdorimit të materialeve propagandistike nga qeveria dhe partitë në mediat kombëtare.

Raporti i OSBE-ODIHR e përshkruan procesin zgjedhor të 11 majit si të polarizuar, me shkelje të përsëritura të standardeve demokratike, duke theksuar nevojën urgjente për reformë zgjedhore dhe forcim të integritetit institucional.


Artikulli i mëparshëmShiste Produkte Bujqësore Të Skaduara, Arrestohet 35-Vjeçari Në Fushë Krujë
Artikulli i radhësNdalohet Hyrja Në Shqipëri Për Predikuesin Fetar Të Dyshuar Për Akte Terroriste