Rritet Bilanci I Viktimave Në Rio De Janeiro, 130 Të Vdekur Pas Përplasjeve Të Dhunshme

0

Një valë e re dhune ka tronditur Rio de Janeiron, duke e kthyer qytetin brazilian në skenën e ditës më të përgjakshme të dekadës.
Sipas autoriteteve, rreth 130 persona kanë humbur jetën pas përplasjeve të ashpra mes forcave të policisë dhe grupeve kriminale në zonat e favelave pranë aeroportit ndërkombëtar.

Operacioni i ndërmarrë nga më shumë se 2,500 policë dhe forca speciale synonte shkatërrimin e një prej selive kryesore të organizatave kriminale që operojnë në zonë.
Gjatë luftimeve, bandat ngritën barrikada, dogjën autobusë dhe ngritën postblloqe, duke paralizuar transportin dhe duke përhapur panik në disa pjesë të qytetit.

Kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes, reagoi me tone të forta:

“Qyteti ynë nuk mund të mbahet peng nga kriminelët që mbjellin frikë dhe terror në rrugë.”

Për shkak të përshkallëzimit të dhunës, autoritetet shpallën nivelin e alarmit në shkallën 2, ndërsa 45 shkolla, klinika dhe qendra shëndetësore në zonat e përfshira janë mbyllur.
Operacioni është ende në zhvillim dhe zyrtarët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim.

Zona e goditur është ndër më të populluarat e qytetit, me rreth 280 mijë banorë, ndërsa frika për përhapjen e dhunës gjatë natës mbetet e lartë.
Autoritetet braziliane po analizojnë edhe mundësinë që pjesë të forcave të sigurisë të kenë qenë nën presion për të ndërhyrë më herët, për të shmangur tragjedinë.

Ngjarja ka hapur sërish debatin për krimin e organizuar dhe kontrollin e favelave, një plagë e vjetër e Rios që ka kthyer lagje të tëra në zona të luftës civile urbane.


Artikulli i mëparshëmShembet Ndërtesa 7-Katëshe Në Turqi, Një Familje Nën Rrënoja
Artikulli i radhës“Nuk Auditojmë Dot Kryeministrin”/ Kryetari I KLSH Zbulon Frikën E Audituesve Përballë Edi Ramës