
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, ka bërë një deklaratë tronditëse në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke pohuar se një nga audituesit e institucionit është larguar nga puna për shkak të frikës nga përballja me Kryeministrin Edi Rama gjatë procesit të auditimit.
Shehu tha se sapo kishte marrë detyrën si kryetar, ishte përballur me një rast që tregonte qartë mungesën e pavarësisë dhe presionin mbi punonjësit.
“Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zëvendësministri Gent Cakaj. Punonjësi më ka thënë se nuk mund t’ia transmetonte gjetjet Kryeministrit, pasi ai ishte autoriteti drejtues i ministrisë,” – tha Shehu.
Rasti daton në periudhën e qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta, në rolin e Presidentit, refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, dhe Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas ia delegoi Cakajt.
Sipas Shehut, audituesi kishte frikë se verifikimi i punës së Kryeministrit mund t’i sillte pasoja personale, ndaj vendosi të largohej nga institucioni.
“Punonjësi është larguar nga KLSH dhe më ka lënë një letër, ku më shkruante se do t’u kërkonte institucioneve ndërkombëtare mbështetje për të garantuar që KLSH të ketë fuqinë e nevojshme për të audituar punën e Kryeministrit,” – shtoi Shehu.
Kreu i KLSH theksoi se mbështetja ndërkombëtare është jetike për të garantuar integritetin e auditimeve dhe pavarësinë institucionale:
“Këto janë situata reale. Unë i fus veten te ata që frikësohen vetëm nga Zoti dhe ligji. Deri në minutën e fundit të mandatit tim do ta drejtoj institucionin me korrektësi maksimale.”
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të forta në Kuvend, duke rikthyer debatin mbi pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe presionin e mundshëm politik që ushtrohet ndaj tyre.
