
Prokuroria e Lezhës ka zbuluar një tjetër rast abuzimi me pronat në bregdetin e Shëngjinit, duke lëshuar nëntë urdhër-arreste ndaj ish-zyrtarëve të institucioneve publike dhe një efektivi policie që dyshohen për përfshirje në tjetërsim pronash shtetërore.
Sipas vendimit të Gjykatës, masat e sigurisë janë si më poshtë:
- Pjetër Tuci – Arrest në burg
- Gentian Malotaj, ish-drejtor i Kadastrës – Arrest në shtëpi
- Artur Shabaku, ish-shef i Legalizimeve – Arrest në shtëpi
- Artmir Maxhuni, zyrtar i Kadastrës – Arrest në shtëpi
- Luiza Bala – Arrest në shtëpi
- Hekuran Xhina – Arrest në shtëpi
- Flor Gjini, ish-drejtor i IKMT – Ndalim i daljes jashtë shtetit
- Kol Malaj, ish-drejtor i IKMT – Ndalim i daljes jashtë shtetit
- Martin Ndoka, polic zone në Shëngjin – Pezullim nga detyra publike dhe ndalim i daljes jashtë shtetit
Hetimet kanë nisur disa muaj më parë dhe lidhen me legalizime të paligjshme, falsifikim dokumentesh dhe përdorim të funksionit publik për përfitim pasuror, në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit shqiptar. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se zyrtarët kanë bashkëpunuar për t’i kaluar toka shtetërore në emër të personave privatë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Dosja e tjetërsimeve në Lezhë pritet të zgjerohet edhe më tej, pasi hetuesit po analizojnë dhjetëra akte të legalizimit dhe rivlerësimit pronash, për të verifikuar nëse janë përfshirë edhe persona të tjerë me funksione publike në vite të ndryshme.
Autoritetet kanë njoftuar se kontrollet dhe sekuestrimet e dokumenteve janë në vijim në zyrat e Kadastrës, IKMT-së dhe Policisë së Shtetit në Lezhë.
