
Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në një lokal në zonën e Komunës së Parisit, ku një konflikt mes kolegëve gjatë orarit të punës përfundoi në tragjedi. Filip Shehu, 41 vjeç, i cili punonte si kuzhinier, vrau me thikë kolegun e tij Indrit Ismaillari, 34 vjeç, që shërbente si kamerier në të njëjtin biznes.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka sekuestruar armën e krimit, një mjet prerës (thikë), me të cilën u krye vrasja. “Autori është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë menjëherë pas krimit. Ai është dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta,” thuhet në deklaratën e uniformave blu.
Pas krimit, Forca e Posaçme “Shqiponja” ka ndërhyrë duke arrestuar autorin në vendngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa lokali ku ndodhi ngjarja është vendosur nën kontroll policor për hetime të detajuara.
Në dëshminë e parë përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Shehu ka deklaruar se “janë zënë për punën” dhe se ngjarja ka ndodhur “në gjaknxehtësi.” Ai pranoi se e kishte qëlluar kolegun me thikë “pa dashje për ta vrarë”.
Pamjet e siguruara nga mediat tregojnë momentin e arrestimit të Shehut, i cili u shfaq i tronditur teksa shoqërohej në polici.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka hapur diskutime për tensionet në ambientet e punës dhe mungesën e kontrollit të sigurisë në bizneset e vogla të kryeqytetit.
