Kapja E Shëndetësisë: Arti Papajani, “Xhambazi” I Ilaçeve Që U Kthye Në Drejtor Publik

0

Vetëm shtatë ditë pas hyrjes në zyrë, ministrja e re e Shëndetësisë Evis Sala firmosi emërimin e Arti Papajanit si drejtor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Në publik, ajo e paraqiti si “një prurje profesionale nga sistemi tatimor”. Por në të vërtetë, Papajani nuk vinte nga tatimet – vinte nga rrjeti i errët i industrisë së barnave, i mbuluar për vite nga hijet e korrupsionit, kontrabandës dhe favorizimeve fiskale.

Në vend të një teknokrati, Evis Sala solli në krye të një institucioni jetik një njeri me një dosje të gjatë dhe të njohur për abuzime. Në vitet 2004–2005, Papajani ishte zëvendësdrejtor në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave, prej nga u largua për leje të paligjshme importi, ilaçe të falsifikuara dhe tregtim barnash të skaduara. Dosja e tij u mbyll në heshtje, ndërsa ai u transferua menjëherë në Drejtoria e Tatimeve – falë ndërhyrjeve të të njëjtëve biznesmenë që sot përfitojnë nga sektori shëndetësor privat.

Në Tatime, Papajani u bë njeriu që “rregullonte bilancet” e kompanive të mëdha, përfshirë ato të lidhura me Spitalin Amerikan dhe bizneset e Klodian Allajbeut. Për nëntë vjet, ai firmoste raportime fiktive me humbje, duke u dhënë përfitime milionëshe kompanive të këtij grupi. Në maj 2021, me ndërhyrje direkte të Allajbeut te kryeministri Rama, Papajani u rikthye në administratë dhe mori nën kontroll sektorin e bizneseve të mëdha – aty ku për disa kompani të shëndetësisë tatimet u “zhdukën” me një firmë.

Në qershor 2024 ai u shkarkua për favorizim të evazionit fiskal, por vetëm një javë më pas u sistemua përsëri në Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, që varet direkt nga Rama. Dhe në shtator 2025, me urdhër të ministres Sala, ai u ngjit më lart: drejtor i FSDKSH – institucioni që shpërndan fondet publike për ilaçe, klinika dhe spitale private.

Rrjeti është i mbyllur:

  • Evis Sala, ministre dhe rektore e universitetit privat “Western Balkans”, që ndodhet në pronësi të Spitalit Amerikan.
  • Arti Papajani, ish-favorizues fiskal dhe tashmë drejtues i fondit publik të shëndetësisë.
  • Klodian Allajbeu, përfituesi përfundimtar i çdo kontrate dhe tenderi që kalon përmes këtij zinxhiri.

Kjo treshe e lidh pushtetin politik me interesin financiar dhe me fondet publike që përfaqësojnë paratë e qytetarëve shqiptarë. Ajo që qeveria e quan “shëndetësi moderne” është në fakt një shëndetësi e kapur, ku rrotullohen të njëjtët emra që për dy dekada kanë mbajtur peng sistemin publik.

Në qendër të këtij mekanizmi, që përthith miliarda nga buxheti i shtetit, qëndron një emër i vetëm: Klodian Allajbeu, simboli i shndërrimit të shëndetit në biznes dhe të pushtetit në shërbim të privatëve.


Artikulli i mëparshëmJorida Tabaku dhe rënia në gjuhën e pushtetit që ajo pretendon të luftojë
Artikulli i radhësPD Inicion Shkarkimin Dhe Nuk Voton: Kaosi Brenda Opozitës Në Votimin Për Niko Peleshin