
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh të shkurtër, por domethënës pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke shkruar në rrjetet sociale: “Lamtumirë kryetar.”
Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare të pas viteve ’90, ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare pas një ndërlikimi të rëndë shëndetësor. Prej disa javësh ai ndodhej në kujdesin intensiv në një spital privat në Tiranë, ku mjekët raportuan për probleme me frymëmarrjen dhe më pas arrest kardiak.
Nano mbetet një nga arkitektët e rilindjes së Partisë Socialiste pas rënies së komunizmit dhe një nga politikanët që i dha një profil liberal dhe europian të majtës shqiptare. Mesazhi i Ramës, i thjeshtë por i ngarkuar emocionalisht, shihet si një homazh për themeluesin e linjës moderne të PS-së dhe një prej mentorëve të brezit të tij politik.

