
Ka nisur në orët e paradites seanca gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, ku ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kërkon shpalljen antikushtetuese të vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Në kërkesën e depozituar, avokatët e Veliajt argumentojnë se “shkarkimi është kryer në mënyrë të paligjshme, pa prova për ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës apo ligjeve”. Ata i referohen nenit 115 të Kushtetutës, i cili kufizon kompetencat e Këshillit të Ministrave, duke theksuar se “ky nen është një garanci për mandatin e zgjedhur vendor ndaj ndërhyrjeve arbitrare të pushtetit qendror”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të qeverisë së Edi Ramës pritet të mbrojnë vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 25 shtator, i cili e shkarkoi Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pas vendimit të mëparshëm të Këshillit Bashkiak që konstatoi “pamundësinë e ushtrimit të funksioneve për shkak të procesit penal ndaj tij”.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, është vendosur masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në polici”.
Seanca e sotme zhvillohet nën vëzhgimin e mediave dhe opinionit publik, pasi çështja ka marrë përmasa politike të theksuara.
Përkrahës të Veliajt e konsiderojnë atë “të burgosur politik”, ndërsa kritikët e shohin si simbol të abuzimit me pushtetin vendor gjatë dekadës së fundit.
Përballja e tij me avokatët e qeverisë Rama në Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse vendimi për shkarkim do të mbetet në fuqi, apo nëse ish-kryebashkiaku do të mund të rikthehet në skenën politike, tashmë me një status të ri — atë të të dënuarit që sfidon pushtetin.
