
Nga 1 nëntori, qytetarët që udhëtojnë me linjat Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të ndjejnë “frymën e progresit”: biletat do të kushtojnë 50 lekë, nga 40 lekë që ishin deri dje. Një rritje modeste prej vetëm 10 lekësh, e cila — sipas arsyetimit zyrtar — “reflekton kostot reale të operatorëve”. Me pak fjalë: më shumë paguan qytetari, më lehtë frymon bashkia.
Abonenti, viktimë e radhës së progresit ekonomik
Edhe abonetë nuk shpëtuan nga reforma e Rakip Sulit. Nga 1,200 lekë kalojnë në 1,400 lekë. Rreth 17% rritje, që bashkia e shet si “përshtatje të ndershme me realitetin financiar”. Me të njëjtën logjikë, pritet që në pranverë të rritet edhe “mirënjohja e popullit” për këtë vendim.
Arsye teknike apo strategji elektorale?
Në dokumentin e Këshillit Bashkiak shkruhet se kërkesa për rritjen e çmimit vjen nga operatori i linjës, i cili ka depozituar “analizë të detajuar të kostove”. Pavarësisht “analizës”, qytetarët e Kamzës e përkthejnë ndryshimin në mënyrën e tyre:
“Më shumë lekë për autobus, më pak për bukë.”
Ironia e shifrave
Në një qytet ku transporti publik është shpesh i mbipopulluar, me vonesa dhe kushte minimale, vendimi për rritje çmimi tingëllon si shaka e hidhur e administratës lokale. Ndërsa fjalët “analizë ekonomike” zëvendësojnë çdo shenjë ndjeshmërie sociale, Rakip Suli mund të krenohet: ka arritur të bashkojë të gjithë qytetarët e Kamzës në një mendim – kundër tij.
