
Operacioni për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje ka vijuar me një ndërhyrje të gjerë në zonën e Farkës. Forcat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe të Policisë Bashkiake hynë në një kantier ku po ngriheshin disa objekte 2-3 katëshe, të cilat rezultonin në shkelje flagrante të kushteve të lejeve të ndërtimit.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për shtatë vila që i përkasin ish-deputetit të Partisë Socialiste, Vladimir Kostës.
Në terren ishin të pranishëm ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, kryeinspektorja e IKMT-së Dallëndyshe Bici, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Blendi Sulaj, si edhe përfaqësues të IMT-së e IKMT-së.
Koçiu deklaroi se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se ndërhyrja në Farkë është pjesë e një operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor.
Policia sqaroi se ndërtuesit, mbikëqyrësit dhe inspektorët që kanë shkelur kushtet e lejeve për objektet luksoze do të përballen me masa administrative dhe penale sipas ligjit në fuqi.
Njëkohësisht, qytetarët u paralajmëruan të jenë të kujdesshëm gjatë blerjes së pronave duke verifikuar statusin e tyre ligjor përpara transaksioneve.
Sipas Koçiut, qëllimi i aksionit është të vendosë rend dhe rregull në territor, të mbrojë pronën publike dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm urban në përputhje me lejet ligjore ekzistuese.
