
Në dosjen e SPAK që lidhet me hetimet për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, dalin në dritë komunikime të reja mes saj dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të zhvilluara në aplikacionin Signal Private Messenger, që sipas prokurorisë ndërlidhen me shpalljen e fituesit të tenderit për tunelin e Llogarasë.
Komunikimet Mes Ballukut Dhe Berberit
Në datën 1 tetor 2021, në orën 10:52, Berberi i shkruan Ballukut:
“Ok. Për pak nxjerr tunelin.”
Balluku i përgjigjet:
“Prit dhe pak.”
Pas disa sekondash, Berberi e pyet:
“Për tunel ok?”
Balluku i kthen:
“Po po, prit t’i çoj fjalë atij kurvës që kërcënon me sms.”
Në orën 13:37, ajo urdhëron:
“Nxirre tunelin.”
Në 16:06, Berberi i raporton:
“Tuneli u nxorr sapo.”
Nga hetimi elektronik i sistemit të prokurimit publik, SPAK ka konfirmuar se procesi i vlerësimit të ofertave u përmbyll në të njëjtën minutë, në 16:07, duke përputhur komunikimin mes palëve me përfundimin zyrtar të procedurës.
Komunikime Brenda Komisionit Të Vlerësimit
Në dosje përfshihet edhe një tjetër grup mesazhesh të sekuestruara nga telefoni i Valbona Pepës, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Nga bisedat në “WhatsApp” me Jetmira Dervishin, zbulohet se vendimi për fituesin ishte marrë në mënyrë të paracaktuar.
Në komunikim, njëra prej tyre pyet:
“Shoqe, kush fitoi?”
Dhe përgjigjja vjen menjëherë:
“U shpall fituesi turku me Gjokën.”
Bisedat vijojnë me tone ironike, duke lënë të kuptohet se procesi ishte më shumë formal sesa realisht konkurrues.
Hetimi I SPAK
Sipas aktit të ekspertimit kompjuterik, këto komunikime janë përdorur nga prokuroria si provë për ndërhyrje direkte në procesin e tenderimit të një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
SPAK ka evidentuar se urdhrat politikë dhe ndikimi mbi komisionet e vlerësimit kanë qenë të qarta dhe të dokumentuara përmes mesazheve elektronike.
Hetimet ndaj Ballukut dhe zyrtarëve të përfshirë vijojnë, ndërsa prokuroria e ka cilësuar rastin si një shembull tipik të shkeljes së barazisë në tendera publikë dhe abuzimit me detyrën në nivelet më të larta të qeverisjes.
