
Derbi i Mole numër 184 përfundoi pa fitues. Në javën e 11-të të Serie A, Juventus dhe Torino u ndanë në barazim 0-0, duke regjistruar për bardhezinjtë ndeshjen e tretë radhazi pa gol të shënuar në kampionat.
Në “Allianz Stadium”, skuadra e Spallettit dominoi posedimin dhe lojën, por nuk arriti të thyejë mbrojtjen e fortë të ndërtuar nga Baroni. Në pjesën e dytë, loja u hap më shumë, dhe protagonistë u bënë portierët Di Gregorio dhe Paleari, të cilët ndalën disa raste të pastra për gol nga Adams, McKennie dhe Yildiz.
Spalletti rreshtoi Conceiçao dhe Yildiz pas Vlahovic, me McKennie dhe Cambiaso në krahë, ndërsa në mbrojtje luajti Koopmeiners përkrah Kalulu dhe Rugani. Nga ana tjetër, Torino u mbështet te sulmi Ngonge–Simeone dhe mesfusha e përbërë nga Ilic, Casadei dhe Vlasic.
Pavarësisht presionit të vazhdueshëm, Juventus nuk arriti të gjente rrjetën, duke mbetur në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Torino me 14 pikë vazhdon në pjesën e poshtme të tabelës.
Në ndeshjet e tjera të javës, edhe Como–Cagliari dhe Lecce–Verona përfunduan në 0-0, duke e kthyer këtë raund të Serie A në një fundjavë të “portave të mbyllura”.
