
Pesë bashki të vendit do të zgjedhin nesër kryebashkiakët e rinj, në një proces të pjesshëm zgjedhor që përfshin Vlorën, Beratin, Cërrikun, Matin dhe Tepelenën. Në total, 334.539 qytetarë kanë të drejtë vote dhe do të mund të votojnë që nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 18:00, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore, ndërsa kutitë e votimit janë dërguar gjatë së shtunës në KZAZ-të përkatëse të secilës bashki.
Shpërndarja e votuesve sipas bashkive:
- Vlorë: 171.895 votues në 232 qendra votimi.
- Berat: 82.161 votues në 116 qendra.
- Cërrik: 38.724 votues në 57 qendra.
- Mat: 29.092 votues në 47 qendra.
- Tepelenë: 12.667 votues në 22 qendra votimi.
Në garë janë 13 kandidatë, që synojnë të zëvendësojnë pesë kryebashkiakët që janë zgjedhur si deputetë apo kanë marrë poste qeveritare, si rasti i Andis Sallës në Cërrik, tashmë ministër.
Një fushatë pa zhurmë
Këto zgjedhje të pjesshme janë zhvilluar në një atmosferë të qetë, pa mitingje dhe pa praninë e liderëve të partive kryesore. Për herë të parë, Partia Demokratike nuk ka kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare, megjithëse de facto ka shprehur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur.
Procesi i votimit pritet të jetë një test i qetësisë politike në fund të një viti të mbushur me tensione mes qeverisë dhe opozitës, ndërsa vëmendja do të jetë te pjesëmarrja dhe te mënyra se si qytetarët do të reagojnë në këtë garë lokale me ndikim të kufizuar, por simbolik për balancat politike në vend.
