
Dyshimet për mënyrën se si u përzgjodh anëtari i Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë janë thelluar me detaje të reja komprometuese. Sipas Top Channel, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe njëherazi Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i ka fshehur trupës gjyqësore me 15 anëtarë një informacion të rëndësishëm për kandidatin Asim Vokshi.
Bëhet fjalë për të dhëna të siguruara nga institucionet e sigurisë kombëtare, ku thuhej se Vokshi ka qenë informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës. Kjo e dhënë, që duhej të ishte trajtuar si kriter ndalues, nuk u përfshi në procesin e vlerësimit dhe u anashkalua gjatë mbledhjes së datës 17 qershor 2025, kur emri i Vokshit u listua për garën drejt Kushtetueses.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në KED, informacionet erdhën nga disa institucione, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtoriatën e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Autoritetin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat dorëzuan raportet përkatëse për integritetin e kandidatëve.
Megjithatë, KED – një organ kolegjial me nëntë anëtarë që ka detyrën të verifikojë kushtet e kandidimit – nuk e lexoi dhe nuk e vlerësoi këtë informacion, duke e kaluar kandidaturën për votim. Ky veprim, sipas burimeve, përbën shkelje të vendimit nr. 4, datë 2019, konkretisht të pikës 89/c, që ndalon kandidimin e personave me lidhje ose bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës.
Dokumentet e përmendura nga Top Channel tregojnë se të dhënat komprometuese ishin në dorë të KED-së në kohën e verifikimit, por Sadushi nuk i paraqiti për shqyrtim, duke çuar në listimin e Vokshit si kandidat të renditur të parë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Ky zhvillim hedh hijen e dyshimit mbi procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses dhe ngre pyetje të forta për transparencën dhe integritetin e KED-së në ushtrimin e funksioneve të saj ligjore.
