
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka reaguar pas thirrjes publike të bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për të votuar kandidatët socialistë në zgjedhjet e sotme në pesë bashki të vendit.
Celibashi u shpreh se thirrje të tilla për votim gjatë ditës së zgjedhjeve përbëjnë shkelje të qartë të rregullave të heshtjes zgjedhore, e cila ka hyrë në fuqi që prej mesnatës së së premtes.
“Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale. Mund të bëhen vetëm thirrje për pjesëmarrje masive. Shpresoj që rikujtimi i kësaj problematike të dëgjohet,” deklaroi ai para mediave.
Deklarata e Celibashit erdhi pas postimit të Ballës në rrjetet sociale, ku ai u kërkoi qytetarëve të Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës të votojnë kandidatët e Partisë Socialiste, duke e lidhur procesin me projektin politik “Shqipëria 2030”.
Në mesazhin e tij, Balla theksoi nismat qeveritare për rritjen e pensioneve dhe pagave, si dhe objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke i ftuar votuesit të dalin masivisht në mbështetje të PS.
Sipas Kodit Zgjedhor, çdo thirrje për votim në favor të një force politike gjatë heshtjes zgjedhore është e ndaluar deri në mbylljen e procesit të votimit.
