
Skandalet rreth tunelit të Llogarasë po thellohen çdo ditë. Pas akuzave për manipulimin e tenderit të ndërtimit, hetimet e reja zbulojnë se edhe tenderi për mbikëqyrjen e punimeve është paracaktuar për një fitues të caktuar, ndërsa dokumentet hetimore nxjerrin në pah shkelje alarmante sigurie që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Sipas dosjes hetimore, tenderi për mbikëqyrjen e punimeve, me një fond prej 196 milionë lekësh, u “qep” për kompaninë “Hill International NV” në bashkëpunim me “Net Group” sh.p.k. Hetuesit e SPAK pretendojnë se kriteret u hartuan nga përfaqësuesi i vetë kompanisë fituese, Ioannis Kirkinezis, i cili më pas u shpërblye me përfshirje në tender përmes një kompanie të lidhur me ish-drejtuesin e ARRSH-së, Evis Berberi. Ky i fundit akuzohet për paracaktim fituesish, përdorim faturash fiktive dhe përfitime financiare përmes një rrjeti kompanish të ndërmjetme.
Hetimet zbulojnë se një pjesë e ekspertëve që figuronin në listën e projektit nuk kanë qenë kurrë në kantier, ndërsa disa inxhinierë të huaj që supozohej të mbikëqyrnin punimet nuk kanë hyrë as në territorin shqiptar. Prokuroria ka provuar se në shumë raste licencat e tyre ishin thjesht të huazuara për të plotësuar kriteret në letra. Në terren, punimet janë kryer nga staf i ndryshëm, pa miratim të autoriteteve dhe në shkelje të kontratës.
Por pjesa më tronditëse lidhet me raportimet teknike të mbikëqyrësve grekë, të cilët kanë ngritur alarme të përsëritura për cilësinë e punimeve. Në një komunikim të datës nëntor 2022, përfaqësuesi Kirkinezis shkruante: “Kontraktori po hedh beton pa çelik, jo i përforcuar. Projekti i ri i ventilimit nuk ka asnjë dispozitë për rastet e zjarrit. Nëse ndodh një incident i tillë, do të ketë viktima.” Këto mesazhe, të gjetura në telefonin e sekuestruar të Berberit, tregojnë një përshkallëzim të shqetësimeve që në vend që të zgjidheshin, janë injoruar nga autoritetet.
Në vend që të merrte masa, ish-kreu i ARRSH-së ka heshtur, duke e lënë mbikëqyrësin të ndjehej i pavlerësuar. Në një tjetër mesazh, ai shkruante: “A mendoni se ne kemi ndonjë vlerë për projektin apo ndonjë funksion?” Ndërkohë, kompania ndërtuese vijonte punimet duke ndryshuar planet, duke ulur cilësinë e materialeve dhe duke hequr elementë sigurie që parashikoheshin në projektin fillestar.
Sipas SPAK, skema nuk ishte rastësore. Pasi kompania “Hill International” merrte pagesat për mbikëqyrje nga Ministria e Infrastrukturës, një pjesë e tyre transferohej tek “Net Group”, dhe më pas kalonte në “DAAM”, kompani që kontrollohej nga vetë Berberi. Vetëm përmes këtyre dy hallkave janë lëvizur rreth 19 milionë lekë, të justifikuara me fatura fiktive për “shërbime inxhinierike”.
Tuneli i Llogarasë, i projektuar për të lidhur Vlorën me bregdetin turistik të jugut, është ndër investimet më të mëdha të dekadës, por edhe ndër më të kontestuarat. Përveç koston e lartë dhe funksionalitetit të diskutueshëm, tashmë dyshimet për manipulime dhe punime nën standard kanë ngritur shqetësim për sigurinë e vetë qytetarëve që do ta përdorin.
Një audit i pavarur teknik, sipas ekspertëve të infrastrukturës, është i domosdoshëm për të verifikuar armaturat e betonit, sistemet e ventilimit, daljet e emergjencës dhe pajisjet kundër zjarrit. Deri atëherë, çështja mbetet një tjetër shembull i mënyrës sesi abuzimi me tenderat publikë mund të kthehet në rrezik real për jetën.
Dosja e SPAK për tunelin e Llogarasë mbetet një ndër hetimet më të ndërlikuara që prekin drejtpërdrejt një ministër në detyrë. Nëse akuzat vërtetohen, ky rast mund të hapë një kapitull të ri në llogaridhënien për fondet publike në sektorin më të pasur e më të korruptuar të vendit: infrastrukturën.
