
Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi marrjen peng dhe dhunimin e një 27-vjeçari në Tiranë, ngjarje që ka tronditur kryeqytetin. Policia ka arrestuar dy persona, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe dy vajza.
Sipas hetimeve, në kërkim janë shpallur Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj. Kjo e fundit kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin dhe njëkohësisht me një prej të arrestuarve, Lusjan Kimza, i cili rezulton të ketë qenë ideatori i pengmarrjes. Ai, pasi kishte zbuluar se e dashura e tij fliste me mesazhe me 27-vjeçarin, ka planifikuar bashkë me të tjerët një skemë për ta shantazhuar dhe për t’i marrë para.
Në këtë plan është përfshirë edhe Monika Marku, e cila ka kontaktuar me viktimën duke e ftuar për një kafe. Ata kanë lënë një takim, ndërsa grupi kishte marrë me qira një apartament në AirBNB, ku Monika është paraqitur bashkë me 27-vjeçarin. Në momentin që të dy ndodheshin në banesë, nga tualeti dolën bashkëpunëtorët e tjerë.
Të rinjtë e kanë dhunuar 27-vjeçarin dhe i kanë kërkuar shumën prej 5 mijë eurosh. Ai është mbajtur peng për disa orë dhe më pas është detyruar të shkojë në shtëpi për të marrë paratë që më vonë ua ka dorëzuar. Por historia nuk mbaroi aty — keqbërësit i kërkuan edhe një shumë të dytë prej 5 mijë eurosh, duke e kërcënuar me dhunë dhe publikim të materialeve komprometuese.
Pas dhunës së pësuar, i riu është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore. Mjekët kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka nisur hetimet. Përmes deklarimeve të viktimës dhe veprimeve të ndjekura me kujdes nga agjentët, është bërë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Ndërkohë, dorëzimi i shumës së dytë prej 5 mijë eurosh është përdorur nga policia si veprim i stimuluar, me qëllim kapjen në flagrancë të personave përgjegjës.
Ngjarja tronditëse tregon një tjetër rast të shantazhit dhe dhunës në marrëdhënie personale, duke rikthyer në vëmendje nevojën për hetime të thelluara dhe mbrojtje më të fortë ndaj viktimave të manipulimit emocional dhe kriminal.
