
Tirana hyn nesër në një nga ditët më të ngarkuara të vitit, teksa ndeshja ndërkombëtare Shqipëri–Angli në stadiumin “Air Albania” sjell një plan masash të paprecedentë nga Policia e Shtetit.
Me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe menaxhimit të fluksit të tifozëve, autoritetet kanë njoftuar bllokime të shumta rrugësh, kontrolle të detajuara dhe shoqërim të rreptë të ekipit anglez gjatë gjithë qëndrimit në vend.
Që prej orës 14:00, të gjitha akset rrugore që rrethojnë stadiumin do të mbyllen për qarkullim, duke krijuar një perimetër sigurie që pritet të zgjasë deri në momentin kur tifozët të largohen plotësisht pas ndeshjes. Kjo do të ndikojë ndjeshëm në lëvizjen e automjeteve në disa zona nevralgjike të kryeqytetit, përfshirë Bllokun, Rrugën e Elbasanit, Parkun e Liqenit dhe ish-Gardën.
Ndërsa përgatitjet në terren vijojnë, Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të siguruar lëvizjen e kombëtares angleze, që nga mbërritja në aeroportin e Rinasit, transferimi në hotel, udhëtimi drejt stadiumit dhe kthimi i tyre pas ndeshjes. Ky protokoll do të shoqërohet me patrulla të shumta, mjete speciale dhe kontrolle të vazhdueshme në të gjithë itinerarin.
Në mjediset e “Air Albania”, situata pritet të jetë edhe më e kontrolluar. Çdo tifoz do t’i nënshtrohet kontrollit të imtësishëm përpara hyrjes, me synimin për të penguar futjen e çdo objekti të ndaluar, duke filluar nga flakadanët e deri te sendet e vogla të forta. Për policinë, prioritet mbetet shmangia e çdo situate që mund të dëmtojë sigurinë e pjesëmarrësve, me theks të veçantë tek ndalimi i banderolave të papërshtatshme dhe materialeve piroteknike.
Në komunikimin zyrtar, Policia paralajmëron edhe për penalitetet e koduara në ligj për sjellje të dhunshme gjatë aktiviteteve sportive. Veprime si hyrja në fushë, hedhja e sendeve të forta, përdorimi i flakadanëve apo çdo formë dhune ndaj sportistëve dhe arbitrave përbëjnë vepra penale që mund të çojnë deri në disa vite burg. Për këtë arsye, tifozët ftohen të paraqiten herët në stadium — me hyrjen e hapur që nga ora 15:00 — për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata në pikat e kontrollit.
Mbrëmja e ndeshjes pritet të sjellë një fluks të jashtëzakonshëm në qarkullimin e kryeqytetit. Me bllokimet e rrugëve, ndërhyrjet e policisë dhe disiplinimin e lëvizjeve të tifozëve, Tirana do të funksionojë nën një protokoll të posaçëm sigurie, si rrallëherë më parë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e stadiumit nëse nuk janë pjesë e aktivitetit dhe të zgjedhin rrugë alternative gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes.
Ky koordinim i plotë mes Policisë së Shtetit, Bashkisë së Tiranës, Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA-s dhe strukturave të sigurisë së Anglisë ka vetëm një objektiv: që ndeshja të zhvillohet pa incidente dhe imazhi i vendit të mbrohet në një aktivitet kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.
Rrugët e bllokuara
- Rruga “Papa Gjon Pali II”
- Rruga “Dervish Hima” (pranë ambasadës së SHBA-së)
- Rruga “Asim Zeneli” (pranë ambasadës së SHBA-së)
- Rruga “Themistokli Gërmenji”
- Rruga “Ismail Qemali” (kryqëzimi i Liceut)
- Rruga “Mustafa Matohiti” (pranë shkollës “Kosova”)
- Rruga “Jul Variboba” (pranë postës)
- Rruga “Lekë Dukagjini” (pranë ish-Gardës së Republikës)
- Rruga “Avdyl Frashëri” (pranë kryqëzimit të Librit Universitar)
- Rruga “Skerdilajd Llagami”
- Rruga “Faik Konica”
