
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët nga Brukseli me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë historike të procesit të integrimit, duke e cilësuar këtë vit si “të jashtëzakonshëm” për avancimin drejt BE-së.
I shoqëruar nga ministrja e jashtme daneze dhe komisionerja Marta Kos, Rama nënvizoi se në këtë proces nuk përfaqëson një forcë politike, por kombin shqiptar dhe vullnetin e qytetarëve që, sipas tij, mbështesin integrimin me mbi 98%.
Kryeministri u shpreh mirënjohës për mbështetjen që Shqipëria ka marrë gjatë muajve të fundit nga institucionet europiane, duke theksuar se ajo që kërkohet tani është “punë, disiplinë dhe rezultate konkrete”.
Ai theksoi se hapja e grupkapitullit të fundit të negociatave është arritur falë përpjekjeve të përbashkëta dhe se vendi hyn në këtë fazë “me krenari, por edhe me përgjegjësi të shtuar”.
Rama kujtoi se dinamika e procesit të zgjerimit në Bruksel mund të ndryshojë shpejt, duke nënvizuar se asgjë nuk duhet marrë e mirëqenë: “Vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi — këto janë gjërat që vlerësohen këtu.”
Ai falënderoi aleatët europianë dhe përsëriti se Shqipëria është e vendosur të ecë përpara me ritmin e kërkuar: “Mos më ngadaloni; do të bëjmë gjithçka që të jemi aty ku duhet të jemi.”
Në përfundim, Rama theksoi se ky hap i ri i afron më shumë Shqipërinë me ëndrrën europiane dhe se qeveria është e angazhuar të mos e humbasë momentumin e krijuar në Bruksel.
