
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar të marrë në shqyrtim çështjen e 36 studentëve të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, të cilët kundërshtuan ligjin që i detyron të punojnë në Shqipëri për disa vite pas diplomimit, ose të paguajnë koston e plotë të studimeve.
Ligji 60/2023, i miratuar nga Parlamenti në vitin 2023, vendoste detyrimin që studentët të nënshkruanin një marrëveshje pune në sistemin shëndetësor kombëtar nga 1 deri në 5 vite, në varësi të vitit të regjistrimit, ndërsa diploma mbahej nga punëdhënësi deri në përfundimin e detyrimit.
Në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e konsideroi skemën fillestare si një kufizim të tepruar të së drejtës së zgjedhjes së vendit të punës. Ajo rrëzoi disa dispozita të ligjit dhe urdhëroi uljen e afateve të punësimit me detyrim në tre, dy dhe një vit, sipas kategorisë së studentëve. Vendimi u argumentua me faktin se masa nuk ishte proporcionalisht e lidhur me qëllimin legjitim të shtetit për të mbajtur mjekët brenda vendit, duke cenuar lirinë profesionale të atyre që tashmë ishin të regjistruar në studime.
Në shtator 2024, Parlamentit iu desh ta rishikonte ligjin për ta përputhur me vendimin e Kushtetueses. Megjithatë, disa elementë mbetën sërish në fuqi: studentët duhet të pranojnë detyrimin e punësimit ose të paguajnë koston e plotë të studimeve, dhe diplomat mund të mbahen deri në përfundimin e periudhës së angazhimit.
Tashmë, çështja ka mbërritur në Strasburg. Studentët ankohen sipas Nenit 6 të Konventës Europiane për mungesë të argumentimit të mjaftueshëm nga Gjykata Kushtetuese, përfshirë refuzimin për të shqyrtuar ankesat për diskriminim dhe mungesën e një procesi real kundërshtues.
Ata ankohen gjithashtu sipas Nenit 8, për cenim të jetës private dhe të drejtës për të zgjedhur lirisht profesionin dhe vendin e punës, duke argumentuar se kufizimi nuk është i nevojshëm në një shoqëri demokratike.
Një tjetër ankesë përfshin Nenin 2 të Protokollit Nr. 1, ku studentët pretendojnë se mbajtja e diplomave dhe rritja e papritur e kostove të studimit është jo e parashikueshme dhe shkel të drejtën për arsim.
Së fundmi, sipas Nenit 14 të Konventës, aplikantët pretendojnë diskriminim ekonomik, duke theksuar se studentët me mundësi më të kufizuara financiare dëmtohen në mënyrë disproporcionale nga kërkesa për të paguar koston e plotë të studimeve.
Me pranimin e çështjes, Strasburgu pritet të shqyrtojë balancën midis nevojave të sistemit shëndetësor shqiptar dhe të drejtave themelore të studentëve, duke vendosur një precedent që mund të ndikojë drejtpërdrejt mbi politikat e ardhshme të qeverisë për arsimin dhe punësimin në sektorin publik.
