“S’e Ka Bërë Genti”: Erik Fullani Shpërthen, Por Harron Se Ardianin e Arrestuan Në Krye Të Detyrës

0

Reagimi i Erik Fullanit pas emisionit “Opinion” do të kishte qenë një moment i thjeshtë ndjeshmërie familjare… nëse nuk do të shoqërohej nga një amnezi selektive sa ironike aq edhe e qëllimshme. Djali i ish-guvernatorit, i prekur tmerrësisht që selia e re e Bankës së Shqipërisë nuk iu atribua “si duhet” babait të tij, i kërkon publikut të tregojë historinë “ashtu siç është”.

Dhe pikërisisht këtë po bëjmë.

Kur i biri fshin djersën me 500 euro, ndërsa babai dilte nga dera e Prokurorisë

Në ditët kur Ardian Fullani arrestohej në detyrë për skandalin e 713 milionë lekëve të vjedhura nga Thesari i Shtetit, i njëjti Erik Fullani shfaqej nëpër lokale e resort-e duke fshirë ballin me kartmonedha 500-euro she, duke i kthyer në spektakël luksin e një familjeje, e cila zyrtarisht kishte jetuar gjithë jetën… me rroga shteti.

As babai – si ish-guvernator – as nëna – si ish – gjyqtare – nuk kanë patur kurrë një biznes të rëndësishëm privat. Megjithatë, standardi i jetesës së familjes Fullani ishte gjithnjë i një niveli që askush nuk e besonte se buronte nga pagat e administratës shtetërore.

Por në reagimin e tij të sotëm, Erik Fullani nuk i kujton këto episode.

As nuk i kujton dyert e gjykatave që u hapën dhe u mbyllën për çështjen e babait të tij.
As nuk i kujton 18 punonjësit e Bankës së Shqipërisë që u ndoqën penalisht.
As nuk i kujton faktin se babai i tij u arrestua në detyrë – një ngjarje që s’mund ta lante asnjë nga ato fshirjet teatrale me 500-euro.

Ironia e rikonstruksioneve

Eriku sot zemërohet se rikonstruksioni i selisë së Bankës së Shqipërisë dhe Muzeut “nuk ishte ide e Gent Sejkos, por e Ardian Fullanit”.
Madje e quan detyrim moral “të tregohet e vërteta”.

Po cila e vërtetë?
E vërteta e historisë familjare, që nis tek Thesari i shtetit dhe mbaron tek resortet e luksit?
Apo e vërteta e një “projekti muzeal”, që sot përdoret si kartë krediti morale për të larë të shkuarën?

Kur harrohet rënia, kujtohet fasada

Në vend që të sqarohet për çështjet e rënda që e ndoqën familjen për vite, Erik Fullani merret me fasadën e ndërtesave, jo me plasaritjet e besimit publik.

Në vend që të flasë për mënyrën sesi një guvernator i Bankës së Shqipërisë përfundoi në pranga, merret me meritën e projektit të një sedie.

Në vend që të sqarojë përse dy nëpunës të shtetit jetonin me standardin e një oligarku, merret me saktësinë e një inserti televiziv.

Dhe pastaj thotë: “Tregojeni historinë e vërtetë”

Po e tregojmë.

Dhe e vërteta është shumë më e gjatë se një postim i zemëruar në Instagram.
Më e thellë se debati se kush projektoi fasadën e Bankës së Shqipërisë.
Dhe shumë herë më e rëndë se nostalgjia familjare që kërkon rehabilitim.

E vërteta është se babai i tij u arrestua në detyrë, ndërsa familja shfaqte luks të pashpjegueshëm.
E vërteta është se publiku nuk ka harruar.
Dhe sigurisht, historia nuk rishkruhet me një story në Instagram.

Artikulli i mëparshëmVetëdorëzohet Autori i Vrasjes Pas Sherrit për Kafen në Manzë: Arrestime dhe Dinamika e Plotë e Ngjarjes