
Kriza e emigracionit dhe raportet e tensionuara mes Londrës dhe Tiranës kanë marrë sërish vëmendje pas një deklarate tejet të ashpër të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme britanike, publikuar nga “Daily Express”. Mediat britanike ia kanë rikthyer fokusin kësaj deklarate pikërisht në momentin kur qindra familje shqiptare janë dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar në kuadër të masave të reja të qeverisë së Londrës kundër emigracionit të paligjshëm.
Sipas “Daily Express”, zyrtari britanik ka reaguar me tone kritike menjëherë pas daljes publike të kryeministrit shqiptar në Londër, ku ai kishte mbajtur një fjalim për emigracionin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Por mesazhi nga autoritetet britanike ishte i prerë dhe pa diplomaci:
“Edi Rama nuk e ka idenë se për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”.
Deklarata, e cila është bërë një muaj më parë, risillet sot nga mediat britanike si një paralajmërim politik dhe diplomatik për Tiranën, në një kohë kur Londra përshpejton procesin e deportimeve dhe rrit presionin mbi vendet e origjinës për riatdhesimin e shtetasve me dosje kriminale.
Përplasjet e nënkuptuara mes dy qeverive kanë gjetur jehonë të gjerë, pasi autoritetet britanike insistojnë se numri i shtetasve shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar mbetet “rekord”, ndërsa Shqipëria kërkon të theksojë progresin e saj në bashkëpunimin policor dhe kthimin e personave me precedent penale.
Rikthimi në vëmendje i kësaj deklarate vjen në një moment politikisht të ndjeshëm, duke reflektuar jo vetëm presionin e Londrës për çështjen e emigracionit, por edhe kritikat e hapura ndaj qeverisë shqiptare për mungesë veprimesh të prekshme për të frenuar largimet masive.
Ndërkohë, debati mbetet i hapur dhe pritet që deklarata të sjellë reagime të reja në ditët në vijim, ndërsa të dyja palët përpiqen të menaxhojnë një nga temat më të nxehta të marrëdhënieve dypalëshe të viteve të fundit.
