
Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj e cilësoi masën e sigurisë si “një moment historik për Shqipërinë”, duke theksuar se vendimi i GJKKO-së bëri atë që nuk guxuan ta bënin vetë Balluku dhe kryeministri Edi Rama.
Shehaj akuzoi qeverinë se “nuk largohet kurrë nga pushteti me vullnet të lirë”, por vetëm me ndërhyrjen e drejtësisë. Ai shtoi se shumë shpejt, sipas tij, edhe kryeministri Rama do të përballet me drejtësinë.
“Belinda Balluku sapo është shkarkuar nga detyra me vendim gjykate. Atë që nuk bëri Belinda Balluku duke dhënë dorëheqjen, atë që nuk bëri Edi Rama duke e shkarkuar, e bëri Gjykata. Më vjen keq ta them, por këta nuk ikin nga pushteti nëse nuk i tërheq zvarrë vendimi i drejtësisë. Ky është një moment historik për Shqipërinë. Shumë shpejt edhe Edi Rama ka për të dalë para drejtësisë, siç kanë dalë të gjithë kryeministrat e korruptuar të rajonit,” – deklaroi Shehaj.
Reagimi i tij vjen në një klimë politike të tensionuar, ku pezullimi i Ballukut nga detyra dhe sekuestrimi i pasaportës janë parë si goditja më e rëndë ndaj një zyrtareje të nivelit të dytë të qeverisë. Ndërkohë, opozita ka rritur tonet, duke e lidhur këtë rast me akuza më të gjera për korrupsion dhe keqmenaxhim.
