
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas pezullimit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e cilësuar vendimin e GJKKO-së si “arbitrar dhe antidemokratik”, por njëkohësisht duke theksuar se qeveria do ta respektojë pa kundërshti dhe do ta çojë çështjen vetëm në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se pavarësia e sistemit të drejtësisë është një nga arritjet më të mëdha të viteve të fundit, e cila po përmbys kulturën e gjatë të pandëshkueshmërisë, por sipas tij po shfaq edhe “dobësi të një pushteti të ri, ende të brishtë”.
Ai kritikoi hapur vendimin e pezullimit të një anëtareje të qeverisë nga një prokuror dhe një gjyqtar i shkallës së parë, duke e cilësuar si rast të paprecedentë në nivel europian.
Rama u shpreh se ky vendim përbën cenim të funksionimit të pushtetit ekzekutiv, duke marrë kompetencat që Kushtetuta ia jep vetëm kryeministrit, presidentit dhe Parlamentit. Megjithatë, ai theksoi se qeveria nuk do të hyjë në një konflikt me drejtësinë.
“Nuk do t’i përgjigjemi arbitraritetit me arbitraritet. Do ta respektojmë pezullimin dhe do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së ekzekutivit vetëm në Gjykatën Kushtetuese”, tha Rama.
Ai shtoi se qeveria nuk do të përfshihet në asnjë betejë politike me SPAK-un apo gjykatat, duke e konsideruar këtë si çmimin që paguhet për pavarësinë e drejtësisë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese do të duhet të përcaktojë qartë nëse masat e marra nga GJKKO janë në përputhje me Kushtetutën dhe balancën e pushteteve.
