
Reforma e shumëdebatuar e drejtësisë në Shqipëri u godit sot nga një vendim i rëndësishëm i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila konstatoi se procesi i vetingut ka shkelur në mënyrë të rëndë të drejtat procedurale të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Vendimi i Strasburgut e cilëson shkarkimin e tij si akt të bazuar në prova të fshehura, informacione të redaktuara dhe të pakonsultueshme, duke cenuar seriozisht parimet bazë të një gjykimi të drejtë.
Sipas Gjykatës, Selimi u përball me akuza të rënda për kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe ndikim të paligjshëm, por pa pasur kurrë mundësinë reale të njihej me provat që pretendohej se ekzistonin kundër tij. Raportet e klasifikuara si “sekret shtetëror”, dokumentet e huaja të paidentifikuara dhe informacionet e ardhura nga autoritetet shqiptare iu mbajtën të fshehura, ndërsa mbi këto të dhëna komisionet e vetingut ndërtuan vendimin ekstrem: largimin e tij nga detyra.
Gjykata thekson se vettingu, në rastin e Selimit, u shndërrua në një proces ku mbrojtja ishte e pamundur. Subjekti nuk u informua për faktet kryesore, nuk iu dha akses në dosje, nuk u lejua të sfidojë burimin apo vërtetësinë e informacioneve që e fajësuan. Edhe kërkesat e tij për deklasifikim të pjesëve thelbësore të raportit u refuzuan. Në këtë mënyrë, vetingu operoi me një standard ku barra e provës i kalonte gjyqtarit, por pa i dhënë mjetet për ta përmbysur atë barrë.
Vendimi i Strasburgut flet për një shkelje të qartë të nenit 6 të Konventës Evropiane, duke theksuar se kufizimet e vendosura ndaj të drejtave të Selimit ishin të pajustifikuara dhe pa balancim të mjaftueshëm. Në thelb, sipas gjykatës, procesi ka cenuar vetë esencën e të drejtave të tij procedurale. Kjo deklaratë e fortë hedh dyshime të thella mbi mënyrën sesi komisionet shqiptare kanë administruar raste të ngjashme, duke ngritur pikëpyetje serioze për një proces që prej vitesh prezantohet si themeli i reformës në drejtësi.
Çështja “Selimi kundër Shqipërisë” hap debatin mbi dimensionin njerëzor të vetingut dhe mbi rrezikun që një proces i konceptuar për të pastruar sistemin mund të jetë përdorur në disa raste edhe si instrument i padrejtësisë. Vendimi i sotëm pritet të ketë pasoja të gjera, jo vetëm për trajtimin e rasteve të tjera të ngjashme, por edhe për vetë legjitimitetin e procesit të vetingut, duke e detyruar shtetin shqiptar të rishikojë mekanizmat që deri më sot janë konsideruar të paprekshëm.
